Sherr në urban mes fatorinos dhe Policisë Bashkiake për abonenë/ Video

Aktualitet Te tjera

Bashkia e Tiranës ka nxjerrë pak ditë më parë një urdhër të ri për pajisjen e qytetarëve me abone, por ky urdhër nuk po zbatohet nga shoqëritë e transportit urban në Tiranë.

Kësisoj sot ka shpërthyer një sherr në urbanin e linjës së Kombinatit mes fatorinos dhe policëve të bashkisë. Shkak është bërë një njoftim i vendosur në xhamin e urbanin, ku kompania vazhdon të tregtojë dhe të njoh abonetë e vjetra. Nga ana tjetër polici bashkiak tenton ta grisë njoftimin, pasi sipas tij duhet të zbatohet urdhëri i Bashkisë Tiranë.

Ky nuk është thjesht një konflikt mes bashkisë dhe linjave private të urbanëve por edhe një sorollatje më shumë për qytetarët që nuk dinë se cilën abone duhet të blejnë!!!

Video e sherrit në urban siguruar nga Opinion.al

Njoftimi i Bashkisë i datës 27 Maj për ndryshimin e aboneve.

Lidhur me shpërndarjen e kartelave të pajtimit (abone) për muajin qershor 2017, Bashkia e Tiranës dëshiron të njoftojë qytetarët e saj, përdorues të shërbimit të transportit publik qytetës, si më poshtë:

Me qëllim shmangien e informalitetit, keqmenaxhimit të shpërndarjes dhe përdorimit, si dhe për të rritur elementet e sigurisë, biletat e pajtimit mujor (abonetë) të përgjithshme dhe studenti, duhet të jenë të pajisura vetëm me një karton shoqërues si element shtesë sigurie PA PULLE.

Formati i kartonit shoqërues të aboneve, mbart në kokën e saj logon e Bashkisë së Tiranës, si dhe mbishkrimin “Bashkia Tiranë” me germa kapitale. Në anën e djathtë, vertikalisht, shënohet me shkrim muaji dhe viti përkatës me numra natyrore. Në mes të kartonit shoqërues bashkëlidhet aboneja e prodhuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. Në pjesën e mbrapme të kartonit shoqërues janë të listuara linjat qytetase të Bashkisë së Tiranës, ku është e vlefshme aboneja.

Njoftojmë qytetarët se çdo njoftim tjetër apo prezantim i kartelave të pajtimit mujor (abone) jashtë këtij standardi, që mund të jetë vendosur si njoftim në mjetet e transportit qytetës ose kioska, nuk korrespondon me formatin e miratuar nga Bashkia e Tiranës.

Bashkia e Tiranës është duke marrë të gjitha masat e nevojshme, si dhe fton qytetarët që të pajisen normalisht me abone, duke mos i konsideruar këto njoftime.