Rama/ Ja pse po tërhiqem nga Kavaja
Rama ka vërtetuar atë që po thoshin njerzit e tij të afërt, se ai do ta tërhiqte kandidatin e tij nga zgjedhjet në Kavajë, dy ditë para garës. Sot, në një konferencë shtypi, Rama lajmëroi se në “qytetin e demokracisë” nuk do të ketë votime. Ai e argumentoi këtë si një shenjë drejt kompromisit dhe jo si një frikë të mazhorancës ndaj skalioneve të PD-së. Rama theksoi se po sillet si kryeministër dhe jo si kryetari i Partisë Socialiste. “Ka një plan për destabilizimin e vendit dhe çadra është ngritur për destabilizimin e vendit”– tha ai duke bërë thirrje: “Të shkojmë pa na hyrë asnjë gjëmb në këmbë në 18 qershor”. Ai nuk u shmang as sot nga retorika me reformën në drejtësi.“Frika që ka kapluar nastradinin e reformës në drejtësi”– qe shprehja e kryeministrit.“Provokimit antikushtetues të të tmerruarve nga drejtësia nuk duhet t’i përgjigjemi flakë për flakë”– vazhdoi ai.
Duke argumentuar se “Kavaja nuk do të bëhet sheshi për përshesh”, Rama gjatë gjithë fjalës së vet u mundua të qetësojë militantët e tij që të mos e shikonin këtë si një shenjë paniku, tërheqjeje, apo zbythjeje. Ai u mundua të duket si tolerant, pavarësisht se sot lexoi një tekst të shkruar, përmbajtjen e të cilit e dinin të gjithë në rrethet politike të Tiranës.