Agim Xhafka/ Aromat

Te tjera

Pranvera në Amerikë është si një grua shtatzanë me barkun plot gjelbërim. Duket jo vetëm toka kështu,por edhe qielli spërkatur me jeshilen e gjetheve që lodrojnë nga era dhe diellin e copëzojnë si në një kaleidoskop ngjyrash. Jo më kot dhe dollarit ia kanë dhënë këtë ngjyrë. E ndërsa plaku i vitit te ri mendohet nga veriu i globit,mëma e pranverës,mbase është mbarsur diku e diku,por për të lindur ka erdhur në USA. Dhe pa green card e pa dokumenta u bë qytetarja më e nderuar e këtij vendi të të madh e të begatë.
Këtu stina më e bukur të pushton sytë,por të sulmon dhe ndjenjat,të rrit gëzimin,të shton rrahjet e zemrës,të nxit për mirësi e bëhet fushë e pamatë për dashurinë. Ngjyrat përzjehen me diellin,ngrohtësinë dhe aromat,ah,aromat të sjellin dhe atdheun. Bash mu tek dera e shtëpisë. Se vjen me DHL-në e luleve çdo kujtim i vendit tënd. Aromat si postierë rigorozë sistemojnë çdo gjë e në zarf shënojnë adresat e episodeve. E një nuhatje e thjeshtë,e pa sforcuar të sjell tek kutia jote postare njerëz të zemrës e vende të dashura.
Ja ndiej një jargavan e më kujtohet krejt rrethimi i turizmit të vjetër në Korcë,më vijnë ndër mend goca të bukura që kur më kalonin pranë ua kuptoja eren e kësaj luleje me ngjyrë pasioni. Më deh aroma e akacjes që kisha poshtë shtëpisë,që më sjell mbarimin e shkollës dhe nisjen e pushimeve të verës,planeve të ditës atje tek shatërvani në Lëndina e Lotëve. Shoh shpatore që nuk lëshojnë erë,por pamja më flet shumë. Se në vendin tim nuk kishte oborr pa to,qysh nga kinema Morava e deri te stadiumi. Ose sa më venë sytë tek tulipanët kujtimi më çon tek vila e Kamenicës ku aq shumë kishte sa qytetarët rrinin mbërthyer tek kangjellat se ishte një shfaqje artistike plot ndjenjë kur ato tundeshin nga era sikur ia bënin me dorë çdo vizitori,sikur e joshnin të rikthehej.
Aromat e luleve ma sjellin atdheun çdo ditë. Sa dielli nxjerr kokën mbi liqen nis dita e e-maileve aromatike me vendin tim. Flas me çdo petale e me çdo polen se jeta ka ngjarje e njerëz,por që në tru ruhen me vizione dhe me aroma. Çdo nuancë që nuhasim është si erëzat në gatim. Sa herë ndjej p.sh. lakrorin,petën e pjekur,miellin që lodron në ajër më kujtohet nëna. Siç babain ma sjell një aromë e ëmbël e një djerse të lehtë spërkatur me sapun rrobash. Kështu dhe Korcën e kam ngjitur me veten,në çdo hap,në çdo oborr a pemë që lulëzon. Aromat janë njësoj,por kur hard disku i ngjarjeve i sistemon fillon filmi i kujtimeve dhe kthehesh pas në kohë me emocionet e asaj kohe. Jeta të bëhet më e bukur se jeton dyfish,jeton në USA,por dhe në atdhe njëkohësisht. Eh,aromat janë ushqim i shpirtit dhe adrenalina e së shkuarës,janë ajër mbushur me pasion,mall,dhimbje,dashuri…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *