Lubonja: Pse Rama është një i sëmurë psikik?

Analize

Fatos Lubonja ka kërkuar sot largimin e Edi Ramës nga politika, jo vetëm për gabimet që ai ka bërë, jo vetëm për vendimet që ka marrë, jo për dëmet që mund t’i sjellë vendit, por edhe për një arsye tjetër. Sepse, sikurse analizon në një shkrim të gjatë (botuar në dy pjesë sot dhe nesër në gazeta Panorama), ai është thjeshtë një i sëmurë psikik. Prandaj Lubonja konstaton atë që ia ka thënë Ramës edhe personalisht: “Largohu për të mirën tënde personale dhe të të gjithë shqiptarëve”.

Në shkrimin e gjatë, të bazuar sa në njohjet personale, aq edhe në analizën e personazhit dhe të veprimeve të tij, Fatos Lubonja mbërrin në përfundimin se patologjia e Ramës është ajo e çrregullimeve narciziste të personalitetit. Por në këtë kategori Lubonja shkon edhe me larg, ai e rradhit Ramën midis atyre të sëmurëve që renditen tek “narcizët malinjë”. Ja si e përshkruan ai në një pjesë të shkrimit të tij të gjatë: “Sikur çrregullimi i Ramës të ishte ndalur tek patologjia e individit, i cili strehohet në idenë e madhështisë  e mitomanisë duke u vetizoluar, me shumë gjasa do ta kishim parë të tërhequr në studion e tij të piktorit duke pritur aty vetëm adhuruesit e veprave të tij dhe duke treguar historira fantastike për suksesin e tyre. Nuk di të them për vlerat artistike që mund të kishin këto. Ndoshta edhe mund të kishin, por kam dyshime pasi mendoj se artisti i vërtetë ka nevojë edhe për aftësinë për të dëgjuar kritika edhe për një humanizëm që e tejkalon shumë herë dashurinë vetëm për vetveten. Por, sidoqoftë, nuk do të kishte qenë kurrsesi kaq i dëmshëm për krejt shoqërinë, ku përfshihen edhe kolegët e tij artistë. Problemi është se ai bën pjesë në kategorinë e atyre narçizistëve ku kapja fort tek ideja e madhështisë dhe mitomania kombinohen me agresivitetin. Është ky kombinim që zhvillon “narçizizmin malinj”, siç e ka quajtur Otto Kernberg, studiuesi i sëmundjes dhe krijuesi i termit e që e ka çuar edhe tek etja për pushtet. Në këtë patologji  idesë së madhështisë i shtohen edhe aspekte të omnipotencës dhe shfaqje paranojake që e bëjnë narçizistin malinj të mendojë se është qenie speciale, superiore, se atij duhet t’i kënaqet çdo tekë e dëshirë, se mund të bëjë ç’të dojë, sepse për të rregullat nuk vlejnë. Por ka edhe më: omnipotencën ai e përforcon fort edhe me ndjenjën e triumfit ndaj të tjerëve që e çon deri në shijimin e situatave kur arrin t’u shkaktojë dhimbje atyre. Nuk mund të shpjegohen shumë sjellje të Ramës, si lehtësia me të cilën shpërfill normat shoqërore më elementare, shkel ligjet e shtetit, bashkëpunon me kriminelë për të arritur synimet e tij, pa delirin e omnipotencës. Nuk mund të kuptohen talljet, përqeshjet dhe poshtërimet që u bën kundërshtarëve pa ndjenjën e triumfit deri në shkaktim dhimbjeje – kujtoni cilësimin “dele” dhe “budallenj” për votuesit e opozitës, apo heqjen e fotos së Presidentit dhe lëshimin e lukunisë së tij kundër tij duke i përmendur deri edhe defektet fizike. Nuk po hyj këtu të përmend historitë e poshtërimeve që u bën njerëzve që ka pranë e i servilosen të cilat tregohen, në ambiente gazetareske veçanërisht, si barcaleta për të qeshur dhe për të qarë”.

Por pasi përshkruan patologjinë e tij Lubonja ngre edhe pikpyetjen: a duhen justifikuar gabimet e tij me faktin se është i sëmurë?

“A duhet ta fusim Edi Ramën në atë kategori që në terma juridike formulohen si  “të aftë për të kuptuar rëndësinë e veprimeve të tyre dhe të pasojave që vijnë prej tyre” apo jo? …

Sepse një përshkrim i çrregullimeve të personalitetit të Ramës mund të lexohet edhe si një justifikim, apo si një zhveshje nga përgjegjësia, pasi aktet e tij janë kryer nën efektin e patologjisë. “Të kuptosh gjithçka do të thotë të justifikosh gjithçka” – thotë një fjalë e urtë” shkruan Lubonja. Ai shton se “pa qene specialist i kësaj fushe ku takohen juristi me psikologun,  mendimi im është se kemi të bëjmë me një rast ku përgjegjësia dhe papërgjegjësia takohen. Prandaj mendimi im i shprehur edhe publikisht më shumë se një herë ka qenë se ky njeri duhet larguar nga politika. Këtë mendim ia kam shprehur edhe atij veçmas dhe publikisht disa herë” thotë ai duke mbërritur në konkluzionin se Rama ka mbërritur fundin dhe duhet larguar nga politika për të mirën e vet dhe të të gjithëve” (Lapsi.al)