SPRINT NEWS ALBANIA

Shkrime

Pse debatohet për Dritëro Agollin?

Po lexoja një natë poemën e Vasilis Mihailidhis (poet kombëtar i grekëve të Qipros) kushtuar flijimit të kryepeshkopit të qipriotëve, Qipriano, prej tehut të shpatës osmane. Kryepeshkopi nuk pranon të largohet nga vendi, edhe pse Qorroglu e lajmëron se Muselim aga do ta vrasë. Dhe nga kjo gacë, ndizet ndërgjegjia, frymëzohet qëndresa dhe ushqehet dashuria për vendin e për popullin. Kjo ndërgjegjie përtërihet me shumë ngjarje, deri edhe me ngjarjet e vitit 1953 kur pushteti vari një djalosh në Nikosia.
Ne në Shqipëri nuk patëm një lëvizje artistike pas vitit 1990. Në shkolla nuk u futën e nuk u përhapën siç duhej tregime e vjersha kushtuar atyre që komunizmi i vrau, në mënyrë që me anë të artit të ndizej një ndërgjegjie. Të mbruhej një brez që vlerëson qëndresën dhe flijimin për liri, pavarësisht cili është pushtuesi, turku, italiani, gjermani apo komunizmi. Arti dhe arsimi ynë nuk e trajtuan fuqishëm komunizmin si pushtues edhe pse veproi më zi se shumë pushtues. Nuk u glorifikuan flijimet e njerëzve në komunizëm, si shembull se për vendin dhe lirinë, jepet edhe jeta përballë diktaturës. Kishte njerëz që e ndjenë dhe e shprehën vuajtjen por, nuk kishte mikrofon zyrtar për ta dhe, fatkeqësisht nuk kishte as popull që ta kishte përjetuar vuajtjen e të persekutuarve. Ndaj të flijuarit, mbetën në periferi të vëmendjes shoqërore. Nuk patëm një “republikë të re” dhe një ndërgjegjie të re kombëtare, të ngritur mbi eshtrat dhe vuajtjet e tyre. Nëse do kishte ndodhur lëvizja, do ishte mbrujtur kjo ndërgjegjie dhe do ishte montuar busulla e vlerave, Dritëroi dhe të tjerët do ishin rrëzuar bashkë me bustin e Enver Hoxhës – sepse vetvetiu nuk do ishin më ikona në rendin e ri, ngase do bënin reaksion me vlerat demokratike. Pra ne diskutojmë sot për Kreun e Lidhjes së Shkrimtarëve të Komunizmit, sepse ne nuk krijuam një rend demokratik në shpirt e zemër. Shkurt, njeriu lartësohet nga ai sistem të cilit i përket. Nëse si përket, nuk lartësohesh. Se asnjë sistem nuk i lartëson armiqt e vet e as i ultëson bijt e vet.

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?