Zv Ministri socialist ironizon Metën. Shorti për KED doli Kopil.
Zv Ministri Drejtësisë, Arben Isaraj ironizon qëndrimin e kreut të LSI, Ilir Metës duke luajtur me fjalët “kokë a pilë” që hidhen për shortin.
Në një status në FB, ai shkruan:
JE KOKË A JE PIL ?
Kur në pikën 3, të nenit të freskët 149/d56 , të gjithëpranuar dhe të gjithëvotuar të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë thuhet :
“3. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi përbëhet nga 9 anëtarë të përzgjedhur me SHORT, nga radhët e gjyqtarëve dhe prokurorëve, ndaj të cilëve nuk është dhënë masë disiplinore. Ata ushtrojnë detyrën me mandat njëvjeçar, që fillon në datën një janar të çdo viti kalendarik. Presidenti i Republikës përzgjedh me short, midis datave 1 dhe 5 dhjetor të çdo viti kalendarik, dy gjyqtarë nga Gjykata Kushtetuese, një gjyqtar nga Gjykata e Lartë, një prokuror nga Prokuroria e Përgjithshme, dy gjyqtarë dhe dy prokurorë nga gjykatat e apelit, si dhe një gjyqtar nga gjykatat administrative. Nëse Presidenti i Republikës nuk arrin të zgjedhë anëtarët deri në datën 5 dhjetor, Kryetari i Kuvendit i zgjedh ata me SHORT brenda datës 10 dhjetor të atij viti kalendarik. Avokati i Popullit merr pjesë si vëzhgues në procedurën e hedhjes së SHORTIT si dhe në mbledhjet dhe veprimtarinë e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.”
Kur në fjalorin e Gjuhës Shqipe, fjala “SHORT” nënkupton:
Një proces a mënyrë “për të caktuar a për të zgjedhur dikë, për të ndarë diçka me paanësi ndër dy a më shumë veta ose për të zgjidhur një çështje duke hedhur zare a një monedhë metalike (kokë a pil), duke tërhequr nga një letër, duke fshehur diçka në grusht etj”.
Na ndodh çudia e “keqkuptimit” të kuptimit të fjalës “SHORT”, si mënyra apo rruga e vetme kushtetuese e përzgjedhjes së antarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
AMERIKANI, që për tu marrë vesh me NE e ka mësuar mirë shqipen, thotë se sipas Kushtetutës në “SHORT” na duhet edhe KOKA edhe PILI.
SHQIPTARI, ndryshe nga aleati i tij më i madh historik, thotë se sipas Ligjit në “SHORT” nuk na duhet edhe KOKA edhe PILI.
E për të mos ta zgjatur dhe për ti rënë shkurt, SHQIPTARI na thotë se më mjafton KOKA pa PILIN apo dhe PILI pa KOKËN.
E thënë shqip dhe shkurt “SHORT”-i kushtetues e do dhe KOKËN dhe PILI-n.
“SHORT”-i kushtetues pa KOKË dhe pa PIL nuk është gjë tjetër veçse KOPIL.