Postriba, 80 vite nga kryengritja antikomuniste/ Axhami: “Mbi ta u krye mas*akër”
Në 80-vjetorin e Kryengritjes Antikomuniste të Postribës, kryetari i Partisë Lëvizja e Legalitetit (PLL), Shpëtim Axhami, ka përkujtuar ngjarjen e 9 shtatorit 1946, duke e cilësuar atë si një nga momentet e rëndësishme të rezistencës kundër regjimit komunist.

Përmes një postimi, Axhami shkruan se legalistët kanë nderuar sot kujtimin e të vrarëve dhe të përndjekurve të Kryengritjes së Postribës. Sipas tij, ajo që ndodhi 80 vite më parë nuk duhet parë vetëm si një ngjarje historike, por si një dëshmi e njerëzve që, sipas tij, u ngritën në mbrojtje të lirisë, familjes, pronës dhe kombit.

“Postriba është histori në vetvete, është historia e njerëzve me shpirt lirie që mbi gjithçka vendosën nderin, familjen, pronën dhe kombin”, shprehet kreu i PLL-së.
Axhami thekson se në 9 shtator 1946, banorë të Postribës, mes tyre legalistë, nacionalistë dhe klerikë të zonës, u ngritën kundër regjimit komunist, në një kohë kur, sipas tij, kundërshtarët politikë po përballeshin me represion dhe përndjekje.

Në reagimin e tij, kryetari i PLL-së ndalet edhe te pasojat e kryengritjes. Ai pretendon se reagimi i regjimit ndaj kryengritësve ishte represiv, duke përmendur pushkatime, burgosje, djegie shtëpish dhe internime familjesh.
“Kundër Postribës u krye masakër, duke u shpallur edhe qendër reaksionare”, shkruan Axhami, duke e vendosur ngjarjen në kontekstin e asaj që ai e cilëson si periudhën e përndjekjeve masive politike të regjimit komunist.

Në fund të mesazhit të tij, Axhami ka nderuar kujtimin e viktimave dhe të gjithë atyre që vuajtën pas kryengritjes.
“Lavdi martirëve të Postribës që dhanë jetën, u burgosën, internuan dhe u persekutuan për një Shqipëri pa komunizëm”, përfundon ai.
Postimi i plote:

