Pjerin Ndreu: Nuk e kuptoj pse efektivët u lanë mes turrmave pa ujë e ushqim
Alternativa e shkatërrimit, me dirigjent Saliun dhe “studentët” e tij, me shkollë e pa shkollë!
Ky është një skenar i gdhendur në ADN-në politike të Saliut. Madje, me të njëjtën filozofi, nuk kurseu as selinë e partisë së vet!
Grupet e militantëve të tij, me deputetët e PD-së në rolin e organizatorëve dhe disa “studentë” të djathtë sa për fasadë, dje dhuruan një shfaqje të shëmtuar shkatërrimi, pa asnjë motiv që mund ta justifikojë!
Në pamundësi për t’i frymëzuar shqiptarët me ide, programe apo alternativa, këta mendojnë se mund t’i frikësojnë me dhunë!
Harrojeni! Me shkatërrim nuk ndërtohet e ardhmja!
Po ç’patën me semaforët, ndriçimin publik, kamerat, bizneset private, madje edhe me flamurin e Vatikanit?! Çfarë faji u kishin?!
Hajde, me institucionet e qeverisë qenkan “tërbuar”, se kanë kohë që nuk i gëzojnë! Po me pronën publike e private ç’kanë?!
Ky është skenari klasik i Saliut, militantët bëjnë djegiet, deputetët e PD-së bëjnë regjinë, Saliu zgërdhihet nga qejfi, siç e ka zakon, vendi destabilizohet dhe shqiptarët nuk fitojnë asgjë!
Por kam edhe disa pyetje serioze për Policinë e Shtetit!
Nuk e kuptova çorganizimin, sidomos në mbrojtjen e institucioneve shtetërore!
Nuk e kuptova përse efektivët u lanë të çorientuar, në mes të turmave, të ekspozuar ndaj dhunës!
Nuk e kuptova përse policët, që kryejnë një detyrë të vështirë dhe të rrezikshme, u lanë pa kushtet më elementare, deri edhe pa ujë e ushqim, ndërsa nëpërkëmbeshin nga “studentët” e Saliut!
Ashtu siç nuk kuptova disa veprime joprofesionale dhe tejkalime të masës nga ana e policisë, që u panë një ditë më parë!
Policia duhet të garantojë rendin, të mbrojë institucionet, qytetarët dhe efektivët e saj, por gjithmonë brenda ligjit dhe me profesionalizëm!
Protesta është e drejtë demokratike. Dhuna dhe shkatërrimi nuk janë alternativë politike!
Dhe një gjë duhet ta kuptojë mirë Saliu me gjithë orkestrën e tij:
Shqipëria nuk është pronë e askujt për t’u djegur sa herë që dikush humbet pushtetin apo shpresën për ta rimarrë atë!
Me zjarr mund të digjni semaforë, por nuk ndizni dot shpresë! Me dhunë mund të thyeni xhama, por nuk fitoni dot besimin e shqiptarëve!
Alternativa që nuk ndërton asgjë, por shkatërron gjithçka, nuk është alternativë. Është dëshpërim politik!
