Parandalohet një vrasje për hakmarrje në Kurbin
Policia e Lezhës ka parandaluar një ngjarje të rëndë kriminale, që dyshohet se po përgatitej për hakmarrje pas vrasjes së 40-vjeçarit Ilir Gjini, ngjarje e ndodhur më 9 korrik 2026 në Kurbin.
Në kuadër të operacionit të koduar “Argos”, është arrestuar 37-vjeçari Emanuel Gehard, alias Basha, alias Lika, vëllai i 40-vjeçarit Ilir Gjini, i cili dyshohet se lëvizte i armatosur me një automjet të blinduar.
“Si rezultat i monitorimit permanent të situatës në qark, nëpërmjet punës intensive operative dhe kontrolleve, si dhe si rezultat i analizimit dhe ndjekjes në dinamikë të ngjarjeve kriminale të ndodhura më parë, me qëllim parandalimin e ngjarjeve të lidhura me to dhe parandalimin e krimeve në përgjithësi, specialisët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit Operacional të Hetimit dhe me shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, finalizuan operacionin e koduar “Argos”.
Në kuadër të operacionit u parandalua një vrasje, dyshohet për hakmarrje në lidhje me vrasjen e shtetasit I. Gj. alias I. L. alias I. K. alias I. N., 40 vjeç, kryer më datë 09.07.2026, në Kurbin.
Po në kuadër të operacionit u arrestua shtetasi E.(G.) B.(L.), 37 vjeç, banues në Kurbin, me precedent për përfshirje në ngjarje kriminale të mëparshme (vëllai i 40-vjeçarit)
Automjeti tip “Mercedes-Benz ML”, i blinduar dhe me targa gjermane, që drejtonte 37-vjeçari, u ndalua në Fushë Milot. Gjatë kontrollit fizik, 37-vjeçarit iu gjet 1 armë zjarri automatike tip “Skorpion” me një krehër me 16 fishekë.”– njofton policia.
Vijojnë intensivisht hetimet dhe puna policore, për kapjen e autorit të vrasjes së 40-vjeçarit, si dhe për dokumentimin e rrethanave të saj.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
