Gjykata e Tiranës liron 14 protestuesit: Arrestim i paligjshëm
Gjykata ka urdhëruar lirimin e 14 protestuesve të arrestuar, duke konstatuar paligjshmërinë e arrestimeve në flagrancë.
Avokatja Eda Grimci deklaroi se protesta ishte e ligjshme dhe e njoftuar sipas ligjit, ndërsa arrestimet janë bërë pa bazë ligjore.
Ajo tha se Prokuroria kërkoi edhe një masë që do t’i ndalonte protestuesit të qëndronin në territoret përpara komisariateve 1, 2 dhe 3, kërkesë që mbrojtja e konsideron të paprecedentë.
Grimci theksoi se raste të ngjashme të arrestimeve të paligjshme gjatë protestave janë konstatuar edhe më herët nga gjykatat dhe paralajmëroi kallëzim penal për dy prej rasteve që ajo përfaqëson, për tejkalim të kompetencave nga efektivët e policisë.
Vendimi i gjykatës dhe deklarata e avokates rikthejnë në qendër të debatit politik mënyrën se si institucionet po përballen me protestat dhe qytetarët që marrin pjesë në to.
Deklarata për media:
Kemi të bëjmë me tubim të paligjshëm, tubimi ka qenë i ligjshëm, i njoftuar, siç parashikon ligji dhe konstatimi i paligjshëm i arrestit pasohet me lirimin e menjëhershëm pa asnjë masë shtrënguese. Ky ishte vendimi i gjykatës, të cilin unë shkurtimin e tij do t’jua vë dhe në dispozicion.
është një masë që është dhënë dhe në protestat e tjera, ku thuhet që krahas masës së detyrimit për paraqitje është edhe një masë tjetër që quhet masë plotësuese për mosmarrje në grumbullime apo tubime. Në rastin konkret kërkoi të njëjtën gjë: pra, mosqëndrim në të njëjtin vend ku ka grumbullime dhe tubime. Kur u pyet saktësisht qoftë nga gjykata, qoftë nga mbrojtësit, se çfarë nënkuptonte organi i akuzës me këtë, njëri nga grupi i prokurorëve që është marrë me akuzën, tha që të mos qëndrojnë në territorin përpara komisariatit 1, 2 dhe 3, sepse pyetja ishte, çfarë nënkuptoni me territore që nuk duhet të qëndrojnë? Sepse i bie që të gjithë që janë banorë të Tiranës nuk duhet të rrinë në Tiranë.
Dhe e specifikoi organi i akuzës duke thënë, në mënyrë të çuditshme, që nuk kishte të bënte thjesht me territorin e protestës, sepse nuk kërkuan që të mos marrin pjesë në protestë, por të mos ketë grumbullime, pra të mos qëndrojnë në territorin përpara komisariatit 1, 2 dhe 3.
Atëherë, nuk është hera e parë që kjo gjykatë apo qoftë dhe gjykata e apelit konstaton arrestimet e paligjshme në rastin e protestave, ka ndodhur dhe më herët. Të paktën të dy të përfaqësuarit prej meje, për veprime në tejkalim të kompetencave do të bëjmë kallëzim penal dhe do ta ndjekim këtë çështje, sepse ajo çka ne pretendojmë provohet katërcipërisht me një vendim të konstatimit të paligjshëm të arrestimit në flagrancë.
