AktualitetAnalizePolitike

Axhami: Rreth 6 mijë shqiptarë të zhdukur nga diktatura komuniste nuk kanë një varr

KAON

Në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur me Dhunë, kreu i Partisë Lëvizja e Legalitetit, Shpëtim Axhami, ka rikthyer në vëmendje një nga çështjet më të ndjeshme dhe ende të pazgjidhura për kombin shqiptar: fatin e mijëra personave të zhdukur nga diktatura komuniste dhe gjatë luftës në Kosovë.

Përmes një reagimi publik, Axhami thekson se dhimbja e familjeve të të zhdukurve mbetet ende e pambyllur, ndërsa kërkimi i së vërtetës dhe gjetja e eshtrave duhet të jetë një prioritet i pakushtëzuar institucional dhe kombëtar.

Sipas kreut të PLL-së, rreth 6 mijë shqiptarë të zhdukur nga diktatura komuniste ende nuk kanë një varr, ku familjarët e tyre të mund të përulen, duke e kthyer këtë çështje në një plagë të hapur edhe pas 36 vitesh pluralizëm.

Axhami ndalet gjithashtu te fati i shqiptarëve të zhdukur gjatë luftës në Kosovë, duke theksuar se familjarët e rreth 1,600 personave ende presin të mësojnë të vërtetën për fatin dhe vendndodhjen e të afërmve të tyre.

Në këtë kontekst, qëndrimi i PLL-së vjen si një theksim i qartë i qasjes së këtij subjekti politik ndaj çështjeve historike, kombëtare dhe humanitare, duke kërkuar që temat e dhimbshme të së kaluarës të mos relativizohen dhe të mos mbeten peng i heshtjes institucionale apo politike.

Partia Lëvizja e Legalitetit kërkon që kërkimi i eshtrave të viktimave të diktaturës komuniste të trajtohet si një përparësi e vazhdueshme, ndërsa për çështjen e të zhdukurve në Kosovë kërkohet një angazhim më i fortë i faktorit shqiptar dhe ndërkombëtar për të ushtruar presion ndaj Serbisë për zbardhjen e fatit të tyre.

POSTIMI I PLOTË I SHPËTIM AXHAMIT:

“Diktatura komuniste dhe regjimi serb i Milosheviçit zhdukën shqiptarë me dhunë!

30 Gusht-Dita Ndërkombëtare e Personave të Zhdukur me Dhunë!

Nuk mund të harrohen të zhdukurit me dhunë nga diktatura komuniste!

E pafalshme është që, edhe sot, rreth 6,000 shqiptarë të zhdukur nga diktatura komuniste ende nuk kanë një varr ku familjarët e tyre të mund të përulen pasi eshtrat nuk janë gjetur kurrë duke lënë dhimbje dhe një plagë të pambyllur.

Po aq makabre është edhe zhdukja e shqiptarëve gjatë luftës në Kosovë. Edhe pas më shumë se 27 vitesh, familjarët e rreth 1,600 personave të zhdukur ende presin të mësojnë fatin dhe vendndodhjen e të dashurve të tyre.

Është e papranueshme që kërkimi i eshtrave të të zhdukurve të diktaturës mos të jetë një përparësi e pakushtëzuar deri më sot pas 36 vitesh pluralizëm.

Gjithashtu sot kërkohet, që faktori shqiptar dhe ndërkombëtar të këmbëngulin shumë më fort ndaj qeverisë serbe për zbardhjen e fatit të të zhdukurve dhe gjetjen e eshtrave të tyre.”

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?