Grigels Muçollari: Sjellja si publicist në vitin e 13-të të qeverisjes është tallje e madhe.
Dielli lind e perëndon vetë, punët e qeverisë të takojnë ty
Është ndoshta e paprecedentë se si Kryeministri ynë sillet e propagandon sezonin turistik. Çdo ditë ai publikon një muzg, një perëndim, një pragmbrëmje ose një agim dielli, në det, male apo fusha.
Pas çdo dite që mbaron dhe me nisjen e një të reje fshihet dora e tij. Ky krijues u sjell shqiptarëve dritën në tokë dhe ua merr në darkë për ta risjellë të nesërmen.
Po ashtu, ai publikon bukuri natyrore, maja, lugina, liqene, gjire, që është gati të thotë se nuk ekzistonin para 2013.
Nxjerr arritje të sektorit privat, të plazheve apo hoteleve që kanë ngritur njerëzit me punë.
Pra, gjithçka që nuk ka lidhje me qeverinë e me punët e tij. Këtë metodë e ndjekin dhe të tijtë. Dhe Taulanti na flet shpesh me zgjime e perëndime.
Ne ende nuk kemi parë të na tregojë Kryeministri vënien në punë të një impianti të përpunimit të ujërave të zeza.
Apo zgjidhjen e një nyje kritike të trafikut. Apo rritjen e sigurisë ushqimore.
Elemente që lidhen me atë çka duhet të realizojë një qeveri.
A thua se këto nuk janë në tagrin e përgjegjësinë e tij.
Sjellja si publicist në vitin e 13-të të qeverisjes është tallje e madhe.
Kjo nuk do të thotë aspak se artisti me atlete arratiset nga punët e rëndomta të qeverisë. Kur është fjala për leje, licenca, koncesione e dorovitje tenderash, ai është aty full time. Nuk i shpëton gjë. E vetmja ikje që bën është ajo nga përgjegjësitë për dështimet.
Total 0 Votes
0
0
