Brojës i del emri në Serie A, dy skuadra italiane të interesuara
Armando Broja pritet të largohet nga Burnley gjatë verës që vjen, kjo pasi klubi anglez u rrëzua nga Premier League dhe shkarkoi trajnerin Scott Parker. Për sulmuesin e kombëtares shqiptare të futbollit ka interes të shtuar nga dy klubet e Serie A, Parma dhe Udinese. Siç bën me dije ‘Tuttosport‘, këto dy klube e kanë ‘emrin në tryezë’ dhe mund ta marrin sulmuesin në huazim.
Në klauzolën e tij ka një pikë që ai mund të zgjedhë një tjetër ekip në huazim ose të largohet përfundimisht për një shifër më të ulët pasi Burnley u rrëzua nga Premier League. Tanimë mediet në Itali flasin për interesim konkret nga Udinese dhe Parma, ndërsa disa ditë më herët ‘Fichajes‘ në Spanjë njoftoi se Broja i ishte ofruar Barcelonës nga agjentët.
