U konsiderua si rruga alternative, çarje asfalti në aksin Maliq-Gramsh.
Një ditë pas situatës problematike të krijuar në aksin alternativ, ku Autoriteti Rrugor Shqiptar devijoi trafikun pas bllokimit të segmentit Librazhd–Pogradec, News24 ka zbritur sërish në terren për të parë nga afër gjendjen në këtë aks rrugor.
Mëngjesin e kësaj të diele qarkullimi paraqitet i normalizuar, por problematikat në infrastrukturë mbeten të dukshme.
Në aksin Maliq–Lozhan–Strelcë vërehen shembje në disa pjesë të gjatësisë së tij, çarje të asfaltit si dhe rrëshqitje anësore që kanë prekur trupin e rrugës.
Për t’iu rikthyer edhe njëherë devijimit të lëvizjes në aksin alternativ, një ditë më parë situata u rëndua ndjeshëm pas bllokimit të tre trajlerave në zonën e Moglicës.
Prania e mjeteve të tonazhit të rëndë në një segment me probleme infrastrukturore shkaktoi trafik të gjatë dhe paralizim të përkohshëm të qarkullimit.
Forcat e Policisë ndërhynë në terren për menaxhimin e situatës dhe për normalizimin e lëvizjes, duke bërë të mundur hapjen graduale të qarkullimit pas disa orësh vështirësish.
