Aktualitet

Hap kutinë me lëng frutash, tmerrohet nga ajo që gjen brenda

KAON

Një qytetare nga Korça i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të ngritur një shqetësim serioz që lidhet me sigurinë ushqimore, pas një përvoje shqetësuese me një produkt lëng frutash që ajo thotë se e kishte blerë për fëmijën e saj.

Sipas saj, bëhet fjalë për produktin Eko Frut Mollë, i cili supozohet të jetë lëng molle. Qytetarja ka dërguar një video, ku tregon se pas hapjes së paketimit ka vënë re praninë e një lënde të pazakontë brenda lëngut, duke e bërë atë të papërdorshëm.

Ajo shprehet se kjo nuk ka qenë hera e parë që i ka ndodhur diçka e tillë. Sipas pretendimit të saj, më herët kishte blerë të njëjtin produkt dhe e kishte hedhur për shkak të së njëjtës situatë. Për kuriozitet dhe për të qenë e sigurt, ajo thotë se e ka blerë sërish produktin, por edhe këtë herë ka konstatuar të njëjtën gjë brenda paketimit.

Në videon e dërguar në redaksi, qytetarja shihet teksa hedh lëngun në gotë dhe shpreh shqetësimin e saj për atë që ndodhet brenda produktit, duke theksuar se nuk e di se çfarë lënde është dhe se situata është alarmante, veçanërisht duke qenë se lëngu ishte blerë për konsum nga një fëmijë.

“Nuk e dimë se çfarë po konsumojnë fëmijët tanë. Këtë lëng e kemi blerë sepse djali e preferon shumë, por ajo që pamë brenda na shqetësoi jashtëzakonisht”, shprehet ajo në video.

Qytetarja kërkon që rasti të bëhet publik dhe të ketë një reagim nga institucionet përgjegjëse, në mënyrë që të verifikohet siguria e produktit dhe të shmangen rreziqe të mundshme për konsumatorët, veçanërisht për fëmijët.

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?