AktualitetPolitike

Porositë e Ramës në takimin me strukturat e PS në Tiranë

KAON

Zgjedhjet e 9 nëntorit, porositë e Ramës në takimin me strukturat e PS në Tiranë

Ashtu siç ishte paralajmëruar, paditen e djeshme u zhvillua mbledhja e strukturave të Partisë Socialiste në Tiranë, e thirrur nga kryetari i PS-së dhe njëherësh kryeministri Edi Rama. Takimi u mbajt në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet e pjesshme të 9 nëntorit, të cilat përveç Tiranës përfshijnë edhe pesë bashki të tjera të vendit.

Në mbledhje morën pjesë të gjithë drejtuesit politikë të PS-së, jo vetëm ata të bashkive që më 9 nëntor do të shkojnë në zgjedhje. Të pranishëm ishin gjithashtu ministrat, deputetët, ish-deputetët që nuk morën mandat në zgjedhjet e 11 majit në qarkun e Tiranës, kandidatët e listës si dhe drejtuesit lokalë të strukturave socialiste.

Mbledhja u zhvillua me dyer të mbyllura dhe Rama ka shpërndarë udhëzimet kryesore për organizimin e fushatës.

Sipas burimeve, të gjithë deputetët dhe drejtuesit politikë që nuk kanë zgjedhje në bashkitë e tyre do të angazhohen në fushatën e Tiranës. Përveç tyre, në terren do të zbresin edhe ministrat, të cilëve do t’u caktohen zona specifike për drejtim dhe koordinim.

Zonat elektorale për deputetët dhe ish-ligjvënësit socialistë që kanë garuar më herët në Tiranë do të mbeten të njëjta me ato të zgjedhjeve të 11 majit, ndërsa në fushatë do të përfshihen edhe deputetë nga qarqe të tjera ku nuk zhvillohen zgjedhje të pjesshme.

Në takimet e mëparshme me strukturat e kryeqytetit, Rama është shprehur se “duhet të sigurohet një fitore sa më e madhe”. Kjo kërkesë, sipas burimeve brenda PS-së, nuk lidhet vetëm me garën kundër opozitës, por edhe me nevojën për të treguar se rezultati në Tiranë është fryt i punës së përbashkët të strukturës socialiste dhe jo i një individi të vetëm.

Në takimin e djeshëm, Rama ka kërkuar që fitorja në Tiranë të konfirmojë rezultatin bindës që Partia Socialiste arriti në zgjedhjet e 11 majit.

Sa i përket caktimit të datës së zgjedhjeve, kryeministri u ka bërë të ditur të pranishmëve se vendimi për 9 nëntorin është marrë nga Presidenti i Republikës dhe këshilltarët e tij.

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?