Zëvendësoi Ilir Beqajn, Rama shkarkon pas 7 muajsh drejtoreshën e SASPAC
Dora e zgjatur e Ilir Beqajt dhe Mirela Kumbaros në fondet e agjencisë SASPAC është shkarkuar nga detyra. Siç mëson Lapsi.al, me vendim qeverie Jona Suli u largua një ditë më parë.
Sot Kryeministria ka shpallur vendin vakant për drejtor të përgjithshëm të agjencisë që koordinon shpërndarjen e fondeve të BE.
Prej fillimit në muajin dhjetor 2023, Jona Suli u emërua përmes një procesi farsë në krye të asaj agjencie. U ndryshuan kriteret enkas që t’i bënin “kostumit” të ish-sekretares së paradhomës së Mirela Kumbaros pa përvojë drejtimi.
Kujtojmë që në aferën e fundit të SASPAC, që çoi në arrestimin e Ilir Beqajt shfaqet edhe Mirela Kumbaro përmes një eventi për turizmin ku ka dyshime se janë keqpërdorur qindra mijëra euro fonde.
SPAK ndërkohë ka zbërthyer celularin e Ilir Beqajt, ku mes bisedave private me Mirela Kumbaron ka edhe biseda për zëvendësuesin e Beqajt në krye të SASPAC. Pra, të dy bashkë kanë koordinuar emërimin në këtë agjenci të Jona Sulit.
Pas 7 muajsh pa shkëlqim e me sjellje histerike karshi punonjësve të kësaj agjencie, një pjesë e madhe e të cilëve nisën të largohen, Suli u shkarkua një ditë më parë. Pakënaqësi ndaj punës së saj kanë shfaqur në këto 7 muaj vetë Rama, ministrat dhe kryetarët e komisioneve parlamentare ku ajo raportonte.
Arsyet e shkarkimit nuk bëhen me dije ende dhe është e kotë t’i presim. Rama shkarkon dhe emëron ministra pa asnjë shpjegim, jo më të na sqarojë pse shkarkoi ish-sekretaren e paradhomës së Mirela Kumbaros.
Pasuesi/pasuesja e Jona Sulit në krye të SASPAC me siguri është paracaktuar që tani. Konkursi dhe Rilindja nuk bëhen dot kurrë bashkë. Çdo garë është e sajuar, çdo proces është i manipuluar. Emrat e mundshëm tani janë Eridana Çano, drejteresha e Bashkëqeverisjes ose Adela Xhemali, zv.ministre e Financave./Lapsi.al/
