SPRINT NEWS ALBANIA

AnalizePolitikeShkrime

Një thirrje zgjuese për deputetët dhe drejtuesit e PD

Nga Ndriçim Kulla 

 

Duke më mirëkuptuar për opinionin  tim që po parashtroj, fillimisht kam një pyetje të drejtpërdrejt, miqësore, për të gjithë ju: Pse asnjëri prej jush nuk ka qenë asnjëherë në shtëpinë e liderit të burgosur politikë për të dhënë një mesazh të drejtpërdrejtë mbështetjeje. militantëve të dëshpëruar të opozitës, cilët mendoj se e kanë pritur me kohë, por edhe e presin?

Lideri  demokrat tashmë i gjithëpranuar është në burg politik ose si i thonë ndryshe, në arrest shtëpiak.

Jemi të detyruar ta përsërisim korrektësinë e arsyetimit; pa  akuzë, pa ligj, në shkelje të Kushtetutës dhe me një proces hetimor, që nuk i përket një vendi demokratik pjesëtar të NATO-s .

Çfarë pritet,  që ta  çertifikojë drejtësia?!

Po a nuk është provuar qartë se drejtësia  po bën punën e padrejtësisë  për ta neutralizuar për fushatën zgjedhore opozitën?

Qëllimi tashti është i çertifikuar publikisht , kjo është një burgosje për ta ndaluar që të mos ushtrojë dot  fuqinë e tij prej lideri në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, të cilat janë në prag dhe prej të cilave nuk na ndajnë veçse disa muaj.

Regjimi e ka rikthyer hapur përndjekjen politike të kundërshtarëve politikë, si dikur në kohën që lamë mbrapa tre dekada më pare. Madje  e ka zhdukur komplet logjikën e respektimit të normave dhe parimeve demokratike, duke iu vënë ruspën atyre , me qëllimin e vetëm që të rifitoj pushtetin.

Gjyqi  politik i sqaruar qartë me të gjitha të dhënat  juridike kundra Sali Berishës, tregon se ky regjim ua ka  kaluar edhe rekordeve të diktatorit Vladimir Putin me Alexey Navalni-n dhe kundërshtarëve të tij të tjerë politikë si ai.

Pas më shumë se 33 vjetësh demokraci pluraliste, tashti kemi prekur  një realitet tjetër, ku kultura demokratike me gjithë cenet e saj të dikurshme është zëvendësuar nga kultura e qeverisjes së shtetit një partiak. Klika e shijon dhe shumica vuan.

Pra opozita me në krye drejtuesin e saj faktikisht është duarlidhur.

Një histori e tillë ose e ngjashme me të po zhvillohet edhe me Fredi Belerin, kryetarin e zgjedhur drejtpërdrejt nga votuesit e bashkisë Himarë.

Me po të njëjtat arsye politike që bien ndesh me interesat  e diktatorit, ai vazhdon   sagën e padrejtësisë.

Belerin e vizituan në burg disa herë deputetët grekë për t’i shprehur direkt, me shumë të drejtë, mbështetjen edhe si nënshtetas i tyre.

Të njëjtën gjë bëri publikisht edhe ambasadorja greke në Tiranë.

Të njëjtën veprim demokratik bëri dhe ish-presidenti Ilir Meta.

Po deputetët e PD-së, çfarë kanë bërë me liderin e tyre në këtë drejtim?

Nuk them se nuk kanë bërë asgjë, por nuk kanë bërë atë që duhet të bënin, së paku në respekt të luftës së pamposhtur që ai po bën kundra diktaturës.

Kush i ka penguar të takohen me liderin e tyre edhe në respekt të asaj çfarë ai ka bërë dhe po bën për lirinë politike, demokracinë dhe arritjet e mëdha në transformimin e Shqipërisë?!

Mos vallë  janë të kompleksuar  nga presioni i disa faktorëve ndërkombëtarë  të cilët e kanë më për sëmbari të mbajnë në këmbë padrejtësinë se sa të çlirojnë veten para  se sa të përqafojnë të vërtetën?

A nuk do ishte dinjitoze që Grupi parlamentar i PD-së të provonte një rezolutë si grup parlamentar dhe të vinte në dijeni të gjitha parlamentet e  Evropës demokratike mbi burgosjen politike të Berishës, nën mendësinë dhe frymën Ermal  Brook.

Kanë frikë nga ligji i pashkruar i diktaturës së mafies, deputetët demokratë?! Apo kanë frikë nga lobimet sorosiane mos i linçojnë?

Për çfarë?

Për asgjë?!….

Ermal Brook, një personalitet emblematik i demokracisë, i të drejtave të njeriut dhe i institucioneve parlamentare evropiane,  gjeti rrugën dhe erdhi nga Berlini për të takuar një të burgosur politik në Tiranë.

Mesazhi i tij i urtë, politik, por dhe zgjues, i theu hundët edhe sorrosianit Gabriel Eskobar, pjesë e enturazhit të Antony Blinken, ku mbeti në të gjitha misionet e tij diplomatike në Tiranë i  prirur për ta   lënë çështjen e Berishës të flejë në  mëkatin që i kanë bërë . Demokristiani i famshëm gjerman, që i njeh mirë problemet e legjislacionit evropian, e deklaroi hapur dhe me zemërim se Edi Rama dhe regjimi i tij kanë krijuar saktësisht një Rusi të vogël dhe të egër në mes të Evropës ballkanike .

Deputetët e PD-së duhet të ishin mundësisht përnatë, një nga një dhe të flisnin nga frëngjia e Berishës së burgosur, ku mesazhet e tyre kështu do kishin shumë vlerë.

Deputetët e PD-së, në kuptimin e kësaj fryme të munguar, duhet të zgjohen përbrenda.

Ata kanë shumë forcë, sepse kanë tërë forcën kontrolluese dhe besuese të pushtetit , që nuk ua rrëmben dot askush veçse po e lëshuan  vetë .

Regjimi na ka shpallur luftë, luftë klasash, luftë në të gjitha drejtimet, prandaj deputetet e opozitës duhet t’i hapin një drejtim të ri vetes në luftën e tyre ndaj diktaturës – radikalitetin.

Reagimi i fortë publik i një gjermani, ikonë evropiane në politikë (dhe gjermanët dihet se e kanë deri në palcë gjakftohtësinë dhe racionalitetin) të bën të dyshosh se çështja Berisha nuk është e sensibilizuar si dhe aq  sa duhet në Evropë.

Duhet të jemi të vetëdijshëm që për shkak të përdorimit të dinastisë sorrosiane prej Departamentit të Shtetit, s’kemi se çfarë shprese mund të kemi më.

Por bota demokratike nuk e ka fundin aty. Përkundrazi. Demokracia e madhe amerikane, të cilën megjithëse e shoqërojnë edhe padrejtësi të tilla edhe përbrenda saj, ka aftësinë ndryshuese dhe ripërtëritëse t’i përmbysë dhe t’i hedhë në plehra këto lloj padrejtësish të tilla llumi dhe të vendosë drejtësinë e t’i jap fuqi së vërtetës.

Fillimin, vazhdimin dhe fundin e fushatës elektorale duhet ta përshkojë optimizmi në fitore.

Ka 101 arsye të   forta pse ky gangster nuk duhet të prekë më pushtet… Dhe, e para, ka krijuar pushtetin e mafies në Shqipëri; ka ringjallur Enver Hoxhën; ka rikthyer kohën e tij; ka vjedhur pa maskë fare; ka kthyer burgjet politike ……

Ky është realisht një kalë i ngordhur dhe vetëm nëse e  falim nem ai do rikthehet përsëri.

Por ka diçka të zbehtë në luftën opozitare, që unë mendoj se nuk po shkon në drejtimin e duhur për  të mobilizuar njerëzit: optimizmi dhe fitorja .

Nuk po flitet shumë dhe aq sa duhet për fitoren.

Deklaratat që shprehin optimizëm duken shpesh fare të zbehta.

Disa deputetë dhe drejtues të saj më duhet të them se për fat të keq rrotullohen rreth fatit të vetes së tyre nëse do te jenë përsëri deputete dhe japin pak ose aspak optimizëm për fitore.

Nuk i kam dëgjuar njëherë të përmendin emra kriminelësh, trafikantë droge  apo grabitës zgjedhjesh.

Po a u duhen votuesve, këta drejtues apo deputetë, kur sot po luftohet dhëmbë për dhëmbë me diktaturën?

Strategjia e gjithsecilit duhej të fokusohej më shumë në këtë pikë, përpara strategjisë që secili të mundësohet që të jetë deputet.

Votuesit e diskriminuar në palcë kërkojnë pushtetin dhe ndryshimin dhe jo thjesht disa mandate deputetësh.

Nuk dua të them në asnjë mënyrë që deputetët e PD-së të mbështetin Sali Berishën në betejën tij dhe të familjes së tij me drejtësinë.

As unë nuk do ta bëja këtë. Ai po e bën vet këtë betejë dhe e ka bërë të qartë se nuk kërkon ndihmë në këtë drejtim.

Por çdo përfaqësues i PD-së duhet të jetë pjesë e kontributit të doktrinës për mesazhin  e kësaj lufte politike të padrejtë.

Sali Berisha po lufton dhëmbë për dhëmbë me një padrejtësi të madhe historike që po i bën regjimi, duke i hequr dhe lirinë për shkak të frikës së rikthimit në pushtet.

Një moshë sfidante afro 80-vjeçare, nga dritarja e shtëpisë po bën betejën e tij, e cila realisht po e tmerron regjimin deri në atë pikë  sa që ka humbur edhe kontrollin e marrëzisë së tij.

Ai e mbron vetë”hallin” e tij që i kanë stisur kundërshtarët dhe me siguri, në mos sot, nesër do të jetë i fituar.

Pjesa tjetër e opozitës duhet të shtojë gjallërinë e saj brenda vetvetes dhe ta shfrytëzojë këtë vlerë politike që po sjell Berisha edhe nga kjo beteje madhe .

Ajo duhet të jetë më e motivuar t’i përgjigjet pushtetit autokratik me gjuhën e mosbindjes  së tre muajve më parë në parlament. Dhëmbë për dhëmb me diktaturën.

Përçimi i frymës së fitores tek njerëzit e thjeshtë duhet të jetë një prioritet në vetvete.

Ka shumë vlera shpirti i  optimizmit në këtë shtet pa liri, pa drejtësi, pa arsim, pa shëndetësi, me ekonomi informale të pushtuar nga hajdutëria, nga skandalet, krimi dhe droga, i cili tashmë po mbetet dhe pa njerëz.

Nuk është ndonjë gjë e re të thuash se ky shtet po bën represion për ta mbajtur dhe për të ripërtërirë pushtetin.

Prandaj kundërpërgjigjja duhet të jetë vetëm kryengritja dhe forca e vërtetë.

Monstra e lobimeve të pista deri tashti nuk ka parë forcën që duhet të kishte përballë.

Ai e ka shmangur me dredhi çdo moment në atë prag.

Me dredhi, duke u futur në lojërat e tij të pista, me përçarjet e brendshme dhe faktorët e korruptuar ndërkombëtarë, me vjedhje, me blerje, me gjithçka që përjashton drejtësia politike.

Ne nuk duhet t’ia lëmë më shansin e pragut.

Servil, mashtrues, prestigjiator, karagjoz, makbeth,  Esat Pashë, dizinjator manipulimi, ai është bërë kaq shumë i neveritshëm saqë njerëzit ndalin në rrugë kur i dëgjojnë emrin.

Pikërisht atë forcë duhet të krijojmë dhe me atë forcë duhet t’i përgjigjemi.

Dinastitë absolute dhe mbretëritë mizore të mesjetës së errët dhe  të mesjetës së mëvonshme në Evropë u kthyen në histori të harruara, vetëm nga kryengritjet dhe përleshjet e egra dhe të përgjakura me to. Por ato patën prijës legjendarë në ballë, ku shumë prej tyre  ranë edhe heronj.

Belind Këlliçi e bëri këtë pardje në protestën e radhës para bashkisë në Tiranë.

Ai i sfidoi forcat e policisë së dhunshme të Taulant Ballës dhe vazhdoi misionin edhe i përmbytur nga gazi dhe tymi lotsjellës.

Përballja me këtë diktaturë sot nuk është një kollajllëk.

Por kjo betejë duhet të kthehet në një luftë të vërtetë përballje pa kthim dhe pa shumë retorikë.

Duhet kthyer në një luftë të vërtetë siç është lufta, sepse është rikthyer sërish komunizmi në Shqipëri.

Nuk duhet të harrojmë kurrën e kurrës, kujtimin e hidhur të prindërve dhe paraardhësve tanë që komunizmi i shtypi 50 vjet me radhë.

Dhëmbë për dhëmbë me regjimin me siguri do të fitojmë.

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?