Basha: Duhet sistem proporcional kombëtar me lista të hapura dhe me votim elektronik
Lulzim Basha tha se takimi i kësaj të mërkurë nuk është i rastësishëm, pasi nesër është afati i fundit i komisioni të reformës zgjedhore.
Ai theksoi se ka kërkuar një sistem proporcional kombëtar me lista të hapura, me votim elektronik dhe numërim elektronik.
“Sot ndodhemi më pak se një vit nga data fillestare e caktimit të zgjedhjeve, sipas kodit zgjedhor dhe në një moment tërësisht të parapërgatitur nga një pjesë tjetër e politikës, për t’i mohuar shqiptarëve, përfitimet e një reforme të vërtetë zgjedhore. Nesër është afati i fundit i komisioni të reformës zgjedhore dhe nuk është e rastësishme që kjo tryezë dialogu me gjithë faktorët politik, partitë politike opozitare mbahet sot pikërisht si një kambanë jo për interesat e partive politike që përfaqësoni, por për interesat e shqiptarëve që edhe një herë rrezikojnë t’i nënshtrohen interesave të ngushta personale të atyre që me ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 përmbysën balancën institucionale, përqendruan pushtetin dhe në këtë mënyrë dëmtuan jo pak. Detyra jonë në një situatë normale është hartimi ose shpalosja të një alternative të plotë dhe të besueshme qeverisëse. Po përgjegjësia për të zgjedhur atë, apo për të vazhduar për t’u qeverisur nga monarkët e post-tranzicionit, është e qytetarëve shqiptarë. Por nuk jemi akoma aty. Nuk jemi akoma aty sepse për shkak të 2008-ës qytetarët e kanë të pamundur të finalizojnë vullnetin e tyre. Sepse siç e kemi parë zgjedhje pas zgjedhjesh, një jo shumicë qytetarësh, kthehet në një shumicë politike qeverisëse. Legjitimiteti i pushtetit është thellësisht i cënuar”, tha Basha.
