Ministria ruse e mbrojtjes thotë se ka penguar një ofensivë të madhe ukrainase në Donetsk, duke pretenduar se ka vrarë 250 trupa dhe ka shkatërruar automjete të blinduara.
Ndërkohë, lidhur me këto deklarata nuk ka pasur asnjë reagim nga Kievi dhe pretendimi i Rusisë nuk është verifikuar.
Një kundërofensivë ukrainase është pritur gjatë, por Kievi thotë se nuk do të paralajmërojë paraprakisht për fillimin e saj. Dhe është e paqartë nëse sulmet e supozuara tregojnë se ofensiva e re për të rimarrë tokën ukrainase nga forcat ruse ka filluar seriozisht.
Ministria ruse e mbrojtjes tha se Ukraina kishte nisur “ofensivën në shkallë të gjerë” në rajonin e Donetsk të dielën duke përdorur gjashtë batalione të mekanizuara dhe dy batalione tankesh.
Ata pretendonin se ukrainasit u përpoqën të depërtonin mbrojtjen ruse në atë që Kievi e shihte si pjesën më të cenueshme të vijës së frontit, por se “nuk i arriti detyrat e tij, nuk pati sukses”.
Moska tha se Ukraina kishte humbur 250 trupa si dhe 16 tanke.Ukraina ka planifikuar një kundërsulm prej muajsh. Por ajo ka kërkuar sa më shumë kohë të jetë e mundur për të trajnuar trupat dhe për të marrë pajisje ushtarake nga aleatët perëndimorë.
Zyrtarët në Kiev kanë paralajmëruar kundër spekulimeve publike mbi ofensivën, duke thënë se ajo mund të ndihmojë armikun.