SPRINT NEWS ALBANIA

Rajoni

Këshilltari i lartë i DASH bisedon me Vuçiçin, kërkon shmangien e provokimeve mes Kosovës dhe Serbisë

Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ka thënë se është e nevojshme që të shmangen provokimet dhe konfliktet mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai këto deklarata i ka bërë gjatë një bisede telefonike që ka zhvilluar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Sipas Presidencës serbe, zyrtari i lartë amerikan ka thënë se është e rëndësishme që Kosova dhe Serbia të vazhdojnë punën në normalizimin e raporteve dhe sërish ka dhënë mbështetjen e SHBA-së për procesin e dialogut, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

“Presidenti Vuçiq theksoi se Serbia vazhdon të jetë e përkushtuar në politikën e paqes dhe bashkëpunimit në rajon”, u tha në njoftimin e Presidencës serbe.

Vuçiq dhe Chollet po ashtu kanë biseduar për bashkëpunimin në fushën e ekonomisë dhe tregtisë mes Uashingtonit dhe Beogradit.

Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog që nga viti 2011, proces që synon normalizimin e plotë të raporteve.

Në shkurt, në Bruksel palët arritën Marrëveshjen bazë drejt normalizimit të raporteve, ndërkaq një muaj më vonë në Ohër, arritën Aneksin për zbatimin e kësaj marrëveshjeje.

Marrëveshja, e përbërë nga 11 nene, nuk e obligon Serbinë që ta njohë Kosovën, por kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.

Ajo kërkon, po ashtu, nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Serbia ka kërkuar që Asociacioni të jetë prioritet, por Kosova insiston se duhet të zbatohen të gjitha pikat e marrëveshjes.

Në takimin e fundit të dialogut të nivelit të lartë, që u mbajt më 2 maj, Ekipi Menaxhues për formimin e Asociacionit, ka paraqitur para palëve draftin e parë të statutit për themelimin e Asociacionit.

Ky draft është refuzuar nga pala kosovare. /REL

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?