U arrestua për blerje votash në Krujë, Gjykata e Tiranës liron përfaqësuesin e “Bashkë Fitojmë”

Aktualitet

Bedri Murati, 48 vjeçari i arrestuar një ditë para zgjedhjeve në Krujë, është lënë i lirë nga Gjykata e Tiranës. Ai u kap me mbi 700 mijë lekë të vjetra dhe u akuzua për blerje votash, ndërsa në gjykatë ka thënë se aq para i kanë të gjithë.

Sot, ndaj Muratit është dhënë masa e sigurisë “Detyrim paraqitje” dhe dosja i ka kaluar Prokurorisë së Posaçme për hetime të mëtejshme. Kjo, pasi SPAK është institucioni përgjegjës dhe i ngarkuar nga ligji për krimet zgjedhore.

Ai ka pretenduar, se “një shumë të tillë, nuk është gjë e pazakonte që çdo qytetar ti ketë në xhep për përdorim vetjak dhe familjar”.

 

“Gjatë kontrollit në këtë automjet, i ushtruar në prani të shtetasit B. M., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, shumat prej 69 000 lekësh te rinj dhe 50 eurosh, si dhe një listë të zgjedhësve në njësinë administrative Cudhi, Krujë, listë në të cilën ishin të rrethuar emrat e votuesve të cilëve dyshohet se iu kishte dhënë para në këmbim të votës në favor të kandidatit për kryetar bashkie të një subjekti politik, si dhe një shënim me 3 qendra votimi, në Cudhi, Krujë”, njoftoi Policia ditën e arrestimit.

Përsa i përket listave emërore që ju gjetën në makinë, Bedri Murati është shprehur se ishte duke bërë verifikime, pasi ishte përfaqësues politik i koalicionit “Bashkë Fitojmë”.


“Çdo subjekt zgjedhor disponon materiale të tilla, për të identifikuar zgjedhësit, nëse ndodhen në Shqipëri, janë votues të mundshëm apo jo dhe ndarë pikat programore të një subjekti politik të caktuar me qytetarët. Unë po verifikoja nëse disa prej zgjedhësve jetojnë apo jo, pasi bëhet fjalë për disa emra të moshës së tretë”, ka thënë Bedri Murati.

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?