SPRINT NEWS ALBANIA

AktualitetShkrime

Linda Rama në Zagreb për obezitetin: Bëjmë “luftë” me Zahon në market

Nga Linda Rama

Faleminderit, për kënaqësinë e veçantë që më dha kjo ftesë dhe privilegjin e pjesëmarrjes në këtë organizim me zotërinj e zonja të nderuar, e me siguri nëna e baballarë të shqetësuar, për temën delikate që jemi ftuar të diskutojmë.

Obeziteti është një shqetësim që ndonëse, në mos gabohem, prej pothuajse çerek shekulli ka qenë në fokus të vemendjes publike dhe institucionale, vijon të jetë kërcënim për jetën e për shëndetin në shoqëritë tona.

Para pak ditësh, me djalin tim 9 vjeçar, shkuam në supermarket për të psonisur. Kam kuptuar në kohë që ftesën time për në supermarket, djali im jo vetëm që nuk e refuzon asnjëherë, por e përjeton si gëzim, pasi vihet në kontakt me gjithçka tunduese nga e cila unë përpiqem ta mbroj. Dhe duke qenë me mua përballë ambalazheve tërheqëse me shije të ndaluar, mund të luftojë për të tërhequr nga raftet produkte që unë nuk i kam asnjëherë në listën e blerjeve.

Pozicionin tim në këtë luftë të ethshme për brumra e sheqerëra, e ka shpëtuar nga disfata nje kompromis i kahershëm, ku unë mbahem shumë heroikisht. Ai mund të zgjedhë vetëm një produkt me dëshirën e tij dhe siç mund ta merrni me mend, kur dorëzohet përballë rregullit të panegociueshëm, nuk e zgjat kurrë dorën përtej bombave kalorike. Dhe unë ia blej edhe si mundësi për të vijuar paqësisht bisedën time mbi të dëmshmen, derisa kthehemi në shtëpi.

“A është e shëndetshme kjo që po kërkon të blesh?”, e pyeta këtë herë. “Jo!”, me tha. “Po ti mëson ne shkolle”, i thashë, “se si të ushqehesh shëndetshëm, sëbashku flasim se cfarë është dhe çfarë nuk është e shëndetshme per ty… A mund të më thuash se përse përsëri e përsëri ti zgjedh gjërat e gabuara? “Shumë e thjeshtë mam”, mu përgjigj, “sepse shijon dhe unë nuk i rezistoj dot! Po edhe të rriturit”, vijoi, “nuk i rezistojnë dot gjerave të demshme, se pastaj në supermarket nuk do shiteshin cigare, apo jo?!”.

Pra megjithëse sot dimë më shumë se sa kurrë më parë në histori, mbi burimet e dëmeve për shëndetin, vazhdojmë të biem në kurthin e kahershëm të shijes së gjërave të pashëndetshme. Dhe beteja për të mos lejuar veçanërisht fëmijët të bien në këtë kurth, për t’i mësuar ta kuptojnë këtë kurth, ngjan gjithnjë e më e pashpresë përballë përmbytjes konsumiste, e cila tanimë ka hyrë në jetën tonë edhe nga dritaret virtuale, përveçse nga dyert e supermarketeve. Patjetër që dritarja e tyre e parë e shembullit dhe dera e tyre e parë e dijes jemi ne, por jemi gjithnjë e më të vegjël krahas dritareve e dyerve te panumërta të kësaj kohe zvogëlimi të pandalshëm të botës dhe formësimit të fshatit global. Gjithnjë e më të vegjël ngjajnë edhe komuniteti, shteti vetë, në përballjen me shkrirjen e përditshme të kufijve etikë, moralë, institucionalë, shtetërorë.

Në Shqipëri, 25% e fëmijëve rezulton aktualisht të jetë mbi peshë, po aq sa mesatarja e WHO, por në vitin 2037 kjo shifër parashikohet të rritet në 37%. Kjo do të thotë që secili prej fëmijve që sot janë në këtë kategori rrezikon që të jetë në të ardhmen kontigjent të sëmurësh diabetikë, me vuajtje nga tensioni i lartë i gjakut apo nga sëmundje kardiovaskulare, përveçse të jetë i brishtë apo edhe i cënuar psikologjikisht.

Shqipëria ka bërë hapa të rendësishëm për të adresuar obezitetin e fëmijve të tilla si mbikqyrja e praktikave të ushqyerjes për nënat shtatzanë deri në moshën pesë vjec të fëmijës, promovimi i platformës “Bebbo” app për të informuar prindërit për mirërritjen dhe mirëushqyerjen e fëmijve 0-6 vjeç, prej vitit 2012 ne jemi pjesë e Iniciativës Europiane për survejancën e obezitetit në moshën fëminore 6-9 vjec, jemi pjesë e Programit mbi sjelljen ndaj shëndetit që zhvillohet në shkolla për fëmijët e moshës 11-15 vjec , shkollat ofrojnë aktivitetet kurikulare dhe trajnime për të ushqyerin e shëndetshëm.

Por këto janë krejt të pamjaftueshme, nëse ne nuk do të rivendosim masivisht raportin me ushtrimin fizik dhe me natyrën, jo thjeshtë në nivelin e një shteti, po të krejt bashkësisë europiane se paku. Aktiviteti i fëmijve në edukim fizik për fëmijët 6-15 vjec është shtuar nga 90 min në 145 min në javë dhe prej vitit 2018 një rritje e konsiderueshme e mjediseve sportive ka ndodhur, të cilat janë të aksesueshme edhe për komunitetet perreth.

Mjaftojnë? Sigurisht që jo. Aspak. Për më tepër kur spektri i të dëmshmes është rritur dhe axhenda e prindërimit vetëm rendohet, sidomos nën peshën e magmës së botes virtuale, po aq sa shtohet edhe stresi që imponon e përditshmja në kohën që jetojmë.

Obeziteti nuk është as i vetmi rrezik, as njëri ndër të paktët rreziqe. Gjenerata e fëmijve që rrisim sot është ajo e mundësive të mëdha, siç është dhe gjenerata e rreziqeve edhe më të mëdha, qofshin këto të njohura apo të reja. Është kjo gjenerata e parë në historinë e njerëzimit që jetesën, nga dita e parë e lindjes, e ka plotësisht në kontakt me videot, fotot, instagramin, facebook- un, tik tokun e të tjera si këto, ku reklamuesi nuk është më vetëm industria në disa dritaret e saj, por miliona njerëz që sot shfaqen në dritaret e panumërta komunikuese, ndërsa njeriu nuk është më thjeshtë konsumator, por njëkohësisht edhe produkt.

Ndërkohë që inteligjenca artificiale qe po merr çdo ditë formë si një bebe në bark, larg syve tanë, duket se do të jetë një sfidë përmasat e të cilës janë sot të paimagjinueshme edhe për vetë krijuesit e IA.

Njerezimi nuk e ka shpikur recetën e shpëtimit nga kurthi i shijes së gjërave që bëjnë dëm, por kurthet e reja të kohëve moderne nuk mund t’i lemë, që në mungesë të recetave shpëtimtare të na i gllabërojnë fëmijët tanë në erresirën e një ferri ku jeta kthehet në një sfidë krejt jashtë kontrollit të individit, familjes, komunitetit, shtetit, mbarë njerezimit.

Të jemi të bashkuar për të fituar betejën kundër obezitetit të femijve, është një ftesë që kontribuon dhe për çdo betejë tjetër ndaj kurtheve të kohëve moderne që jetojmë. Rrjeti për Parandalimin e Obezitetit të Fëmijve që promovohet sot këtu në Zagreb përcjell një mesazh të qartë: Të kapercejmë kufijtë për të bërë modestisht e vendosmërisht atë që këshillonte një grua e shenjtë shqiptare, Nenë Tereza: Në vend se të mallkosh errësirën, ndiz nje qiri!

Faleminderit.

Fjala e mbajtur në Samitin e bashkëshortëve të Liderave Europianë në kuadrin e promovimit të Rrjetit Europian për Parandalimin e Obezitetit të Fëmijëve, Zagreb 10 Maj 2023.

Linda Rama mes grave pjesemarrese ne Zagreb
Total 1 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?