Depueti i Partisë Socialiste Taulant Balla ka falenderuar qytetarët që u besuan votën kandidatëve të PS në 14 maj.
Në një deklaratë për mediet ai iu përgjigj edhe raportit paraprak të OSBE/ ODIHR, ku thuhej se në këtë fushatë nuk u fol për çështjet lokale, duke e quajtur një deklaratë jo korrekte. Balla iu drejtua vëzhguesve ndërkombëtarë, duke thënë që të mos monitorojnë mediet por terrenin.
Balla: Dua t’i përgjigjem zonjës Glover për raportin e tyre paraprak: ku thonë që në këta fushatë nuk u pa të flitej për çështjet e komuniteteve dhe për çështjet lokale, tani unë nuk e di se në cilat takime këta e kanë parë këtë gjë.
Nëse këta i referohen medieve, nëse këta kanë ardhur të vëzhgojnë se çfarë pasyrimi i ka bërë media fushatës kjo është një çështje që nuk të bëjë me fushatën. Unë mendoj se çfarë është pasqyruar në medie, nuk ka lidhje fare me atë që është bërë në fushatë.
Të vish të thuash se nuk pati diskutim dhe nuk u fol për çështje që shqetësojnë komunitetin, kjo nuk është korrekte dhe se kjo është diçka paraprake që do të rishikohet deri në fund të këtij raporti. Ftoj të kontaktojnë 1 fshat të vetëm ku kemi qenë për takim dhe për punët që do bëhen. Ky ka qenë diskutimi kryesor i fushatës. Nuk është përgjegjësia jonë që fitorja e PS ishte kaq e thellë.