Kryeministri Edi Rama, kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla dhe zyrtarë të lartë të shtetit, janë duke marrë pjesë në ceremoninë e nderimit të Dëshmorëve të Kombit.
Ata po vendosin kurora me lule njëri pas tjetrit dhe po nderojnë të rënët për liri, në Memorialin Nëna Shqipëri. Të pranishëm janë dhe kryebashkiaku Erion Veliaj, shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura, Prefekti i Tiranës, etj.
Sot, është Dita e Dëshmorëve të Kombit që kanë dhënë jetën e tyre për liri. Ajo e ka origjinën në 5 maj 1942, kur u vra Qemal Stafa, i cili me veprimtarinë e tij u kthye në simbol të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.
Në nderim të kujtimit të të rënëve për lirinë e vendit çdo vit në Varrezat e Dëshmorëve kryhen homazhe nga krerët më të lartë të shtetit shqiptar.
Më 1992-1993, me ndërrimin e sistemit politik, pësoi ndryshime edhe statusi i Dëshmorit të Atdheut. Në vitin 2000, pas shumë përpjekjeve u miratua ligji për “Statusin e Dëshmorit të Atdheut”, në të cilin përfshihen dëshmorët e të gjitha periudhave historike, madje edhe të rënët në vitet 1997-1999, në Shqipëri dhe në Luftën Çlirimtare të Kosovës.