SPRINT NEWS ALBANIA

AnalizeRajoni

Lugina e Preshevës si Fanar i Kauzës Kombëtare!

Për ata që e njohin mirë historinë politike të marrëdhënjeve serbo-shqiptare dhe veçanërisht kurrizin e politikbërjes serbe karshi ndërkombëtarëve, nuk duhet shumë analizë për të kuptuar se Beogradi përsëri synon të ikë nga përgjegjësia për të pasë çfarëdo marrëdhënje shtetërore me Kosovën. Edhe pranimi në princip nga ana e tyre e akordit të Ohrit të 18 Marsit është vetëm se tentative për blerje kohe. Nuk ka asnjë grimcë faktike që tregon apo jep ndonjë indikacion se Serbia është e gatshme të abandonojë lidhjen historike lojale me Rusinë e të përqafojë Evropën. E pikërisht, ky është qëllimi i BE-së dhe SHBA-ve – që Serbinë ta ndajnë nga Rusia e ta kthejnë kah Evropa. Në këtë kontekst, Kosovës i është bërë më shumë presion për të pranuar çfarëdo marrëveshje vetëm e vetëm që ajo të pranohej edhe nga Serbia dhe dalëngadalë ky proces i riorientimit strategjik të Serbisë të fillojë.

Por, një nyje gordiane këtu është e patejkalueshme. Kushdo që e lexon drejtë aktivitetetin e fundit diplomatik e lobist në Washington, DC e New York City për Luginën e Preshevës, e kupton se sa thellë e mencur po përgatitet goditja ndaj Serbisë për këtë kauzë të drejtë. Faktet historike janë në anën e shqiptarëve. Të drejtat e tyre elementare abuzohen nga Serbia çdo ditë. Por, kauza e tyre tanimë po institucionalizohet në majat më të larta të politikës së jashtme amerikane. Është e turpshme, por aspak e habitshme, ngase UBD-a ende është gjallë dhe aktive në Serbi, sidomos kundër interesave shqiptare, që mu në lugun e arritjeve madhore politike për Luginën, disa shqipfolës apo gjysëm shqipfolës nxjerrin vrer prej goje kundër këtyre arritjeve.

Nuk është pak që përfaqësuesit politikë të shqiptarë vetë Luginës së Preshevës vetëm muajin që lamë pasë u pritën nga nivelet më të larta të Kongresit të SHBA-ve. Ata takuan Kryetarin e Komitetit për Punë të Jashtme të Senatit të SHBA-ve, Senatorin Bob Menendez. Takuan, po ashtu, në takime të ndara dy bashkëkryesuesit e Grupit për Çështje Shqiptare në Dhomën e Përfaqësuesëve, Kongresistët Ritchie Torres dhe Jim Himes. Dëshmuan në brifingun e parë kongresional dedikuar Luginës së Preshevës që u mbajtë në Senatin e SHBA-ve, dhe u pritën nga Senatorja Joni Ernst. Hapën dyert për çështjen e Luginës, për herë të parë po ashtu, në US Helsinki Commission. Si dhe, u mirëpritën, përsëri për herë të parë në histori, në OKB në zyrën e Zëvendës Sekretarës së Përgjithshme për të Drejtat e Njeriut.

I gjithë ky aktivitet u bë pa shumë zhurmë, por me shumë rezultate, falë angazhimit të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane dhe aktivistitit të paepur të Ligës, Dr. Faton Bislimi. Uniteti i delegacionit të Luginës dhe paraqitjet e tyre në këto vizita e takime janë për cdo lëvdatë. Anash ndasitë politike lokale, delegacioni ishte unik dhekauzën kombëtare e kishte fanar të punës. Edhe Qeveria e Kosovës që përkrahu këto vizita duhet përshëndetur. Por, ajo që duhet parë syhapur tash e mbi të cilën duhet ndërtuar shumë e më shumë janë rezultatet e arritura.

Letra e 16 Marsit nga Kongresistët Himes dhe Torres për Sekretarin e Shtetit Blinken shënon herën e parë në historinë e Luginës që Kongresi i SHBA-vë kërkon zyrtarisht vendosjen e kauzës së tyre në agjendën e politikës së jashtme të SHBA-ve. Pak ditë më vonë, pason publikimi i Raportit për të Drejtat e Njeriut nga Departamenti i Shtetit ku specifikisht flitet për diskriminimin etnik që përjetojnë shqiptarët e Luginës nën tutelën e Beogradit. Mandej, vjen vizita e parë në Luginë të Preshevës e Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë dhe gatishmëria e tyre për të çuar përpara kauzën e drejtë shqiptare në këtë rajon. Dhe, një ditë më pas, vjen edhe vizita në Luginë e Ambasadorit të SHBA-ve, Hill. Jo të gjithë ishin të kënaqur me deklaratat e Hill, por gjuha e tij diplomatike shpeshëherë nuk tingëllon ëmbël, por përçon mesazhin gozhdues aty ku duhet: Serbia duhet të trajtojë përbrenda ligjeve e Kushtetutës së vet të drejtat e minoriteteve. E me këto ligje e Kushtetutë, shqiptarët s’do duhej diskriminuar, prandaj Serbia nuk mund ta fsheh më një sekret kaq publik!

Jam i bindur se Lugina e Preshevës tanimë është hyrën në agjendën e politikës së jashtme amerikane ashtu siç duhet. Ata që nuk e shohin, më vjen keq. E ata që e kanë kuptuar këtë e që po iu djegë shumë, vecse janë venë në aksion kundër secilit me merita për këto të arritura. Shërbimi inteligjent serb nën udhëheqjen e Vulin bashkë me kolaboracionistët e tij në Luginë e disa edhe në Kosovë besa, janë alarmuar e aktivizuar tejmase kundër këtyre të arriturave për Luginën ne DC. Por, ne do ia dalim. Aktiviteti s’do ndalet deri sa Serbia e gjunjëzuar para standardeve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut të pranojë e zbatojë në përpikmëri të drejtat legjitime të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

 

KËSHILLI I AMBASADORËVE SHQIPTARË

COUNCIL OF ALBANIAN AMBASSADORS

Ramiz TAFILAJ

Advisory Board Member

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?