Kandidatja e Partisë Demokratike të Enkelejd Alibeajt për bashkinë e Vaut të Dejës, Klomentina Drini ka reaguar pas sulmeve që Sali Berisha i bërë një ditë më parë, teksa prezantoi para demokratëve kandidatin e tij, Zef Hila. Në një reagim në Facebook, Drini teksa e cilëson Berishën “non grata”, ku nuk heziton ta sulmojë.
“Zoti NONGRATA! Pavarësisht furisë së pritshme të sulmeve të paimagjinueshme ndaj meje, po të sqaroj: Unë jam Klomentina DRINI! Jam PRO AMERIKANE! Jam PRO EUROPIANE! Jam PRO MBRETËRISË! Nuk bashkëpunoj me persona NONGRATA! Koha dhe veprat e kanë vërtetu qëndrimin tim ! Unë jam historikisht me Partinë Demokratike! Partia Demokratike, nuk është një parti Kryetari që qon ujë në mulli të Ilir Metës, por një PD vlerash, e hapur për të gjithë ata që ndajnë të njëjtat ide dhe parime të djathta, me orientim qartësisht të fortë pro amerikan, pro perëndimor, me një program modern, vizion e thjeshtësi duke përfshirë në rradhët e veta gjithkënd që ndan të njëjtat interesa dhe filozofi politike. Theksoj se pjesëmarrja ime në garë elektorale është e vendosur dhe s’ka bashkëpunim apo presion që më kthen pas! Do të përfaqësoj me dinjitet vlerat e Partisë Demokratike dhe të gjithë Demokratëve në Bashkinë Vau Dejës. Demokratët e kanë vendin në Shtëpinë e tyre, në Partinë Demokratike,”- shkruan ajo.
Dje, kryedemokrati kërkoi bashkim për fitore, duke i akuzuar dy kundërshtarët e Hilës se do i dërgojnë votat tek Tom Doshi.
“Është koha të bashkohemi. Këtu dua të falënderoj të gjithë demokratët që gjetën frymën e bashkimit dhe kanë vendosur të votojnë, Zef Hilën si kandidatin e primareve, si kandidatin e vërtetë të opozitës shqiptare. Dua ti them dy fjalë, kandidates dhe kandidatit tjetër. Të dy jeni kandidatë të Tom Doshit. Ua thashë dhe herën e parë. PS-ja ja ka dhënë me koncesion Tomës, kandidatin. Është e pafalshme në një moment historik për vendin, në një moment kritik për demokracinë shqiptare që një demokrat të çojë ujë në mullirin e Edi Ramës, që të bëhet një patericë e atij regjimi që po shkreton Shqipërinë çdo ditë. Ndaj dhe ftoj përsëri çdo demokrat, në Vaun e Dejës dhe kudo, të mendojnë, prap ka kohë të mendojnë dhe votat e tyre ti bashkojnë. Të mos harrojnë kurrë se geni i kësaj partie është pluralizmi, se trashëgimia jonë është pluralizmi, se merita jonë është demokracia dhe ne erdhëm në skenën politike si parti e pluralizmit, si parti e demokracisë, si parti e lirisë së shqiptarëve, ndaj dhe ne të bashkohemi,”-shtoi kryedemokrati.