AKSHI i përgjigjet akuzave se “po përdoren nga Rama”: Informacionet e publikuara nuk janë marrë prej nesh! S’kemi asnjë përgjegjësi

Aktualitet

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit i ka kthyer përgjigje akuzave të bëra sot nga Partia Demokratike se “po përdoret nga kryeministri Edi Rama për qëllimet e tij partiake”.

Në reagimin e AKSHI-t thuhet se kjo agjenci nuk ka përgjegjësi në lidhje me marrjen e të dhënave të shqiptarëve dhe se të dhënat e publikuara nuk janë marrë nga servera të cilat mirëmbahen prej tyre.

“Prej muajsh, institucioni i AKSHI-t sulmohet pa asnjë fakt ndërkohë që për këtë çështje kanë dhënë verdiktin e tyre edhe institucione të njohura ndërkombëtare amerikane FBI, CISA, US Army dhe Microsoft. Vlen të theksojmë se të gjitha të dhënat e publikuara pas sulmit, nuk janë marrë nga AKSHI”, theksohet ndër të tjera në reagimin e AKSHI.

Reagimi i plotë:

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit shpreh keqardhjen për sulmet politike ndaj institutionit dhe punës së tij duke tentuar manipulimin e opinionit publik.

Nisur nga akuzat pa asnjë fakt, informojmë qytetarët shqiptarë se AKSHI nuk ka asnjë lidhje apo përgjegjësi me pasojat e sulmeve kibernetike ndaj Policisë së Shtetit apo institucioneve të tjera publike dhe private, të cilat nuk kanë asnjë lidhje teknike me sistemet që mirëmban AKSHI.

Kujtojmë se pavarësisht sulmit të fuqishëm kibernetik, i pandodhur më parë në Shqipëri për nga lloji dhe përmasat, vetëm 7 mailboxe të hostuara pranë AKSHI-t janë bërë publike.

Prej muajsh, institucioni i AKSHI-t sulmohet pa asnjë fakt ndërkohë që për këtë çështje kanë dhënë verdiktin e tyre edhe institucione të njohura ndërkombëtare amerikane FBI, CISA, US Army dhe Microsoft.

Vlen të theksojmë se të gjitha të dhënat e publikuara pas sulmit, nuk janë marrë nga AKSHI.

Gjejmë rastin të falenderojmë punën e të gjithë punonjësve të AKSHI-t dhe partnerëve ndërkombëtarë (FBI dhe Microsoft) që kanë punuar prej muajsh 24/7, pa pushim, për të rikthyer e-Albania në funksion brenda 4 ditësh, e për të vijuar me të njejtin nivel përkushtimi në javët e muajt në vijim për të siguruar mbarëvajtjen e sistemeve.

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?