Ilir Meta mohon zërat për kalimin e deputetit Agron Çela te Partia Socialiste.

Politike

Ilir Meta mohon zërat për kalimin e deputetit të partisë së tij Agron Çela nga PL te Partia Socialiste.

I pyetur nga gazetarët gjatë konferencës për media, Meta tha se nuk merret “me lajme të shpikura dhe të porositura nga Rilindja”.

Lajmet për kalimin e deputetit të PL-së në Shkodër te Partia Socialiste u përhapën pasi ky i fundit priti dhe shoqëroi në një event për festat e fundvitit në Shkodër, ministren e qeverisë Rama, Elisa Spiropalin.

“Nuk merrem unë me çështje që i mbulon zonja Spiropali. Nuk merrem me të deleguarën e Rilindjes atje dhe me shoqëruesit e saj”, tha Meta duke shtuar: “Unë betejën e kam me Edi Ramën dhe regjimin e tij mafioz”.

“Nuk kam asnjë koment për lajmet e shpikura dhe të porositura nga Rilindja, nuk jam i shqetësuar nga merkato e Rilindjes. Nga Tropoja deri në Sarandë, qytetarët presin ndryshimin, do të jetë një triumf i kandidatëve të opozitës, apo i superkandidatëve siç i kam quajtur unë. Përballja e Partisë së Lirisë dhe Ilir Metës personalisht me këtë regjim mafioz, është e pashmangshme, është ballore. Kushdo që ka forcë, qëndresë, shumë mirë që është në krah të Ilir Metës dhe PL. Nuk jam këtu për t’u marrë me çështje të cilat i mbulon zonja Spiropali. Nuk merrem unë me të deleguarën e Rilindjes atje dhe shoqëruesit e saj. Unë merrem me Edi Ramën dhe regjimin mafioz, që nuk e shpëton asnjë përpjekje mafioze që ai bën”, deklaroi Meta.

Kreu i PL, Meta tha se është i ndërgjegjshëm që gara për zgjedhjet vendore nuk do të jetë e barabartë, pasi sipas tij, Rama do të përdorë mekanizmat mafiozë për të mbajtur pushtetin vendor që tashmë e ka 100%. Por sipas tij, janë qytetarët në të gjithë vendin ata që do i japin përgjigjen.

“Nuk kemi iluzione se gara e 14 majit do të jetë një garë e barabartë, nuk kemi iluzione se Edi Rama me ato krime që ka bërë do të pranonte një garë të barabartë, por ne jemi të sigurtë se qytetarët shqiptarë do t’i japin përgjigjen e merituar këtij menaxhimi mafioz të vendit. Këto 14 vite ka qenë një pushtet tërësisht bunker për qytetartë, taksapaguesit. Rilindja ka patur të gjithë këshillat lokale, por një pjesë e madhe e bashkive kanë shpallur falimentimin. Të gjitha përpjekjet që bën kjo qeveri në kundërshtim me ligjin, me standardet demokratike, do të kenë rezultatet nga qytetarët që do t’i japin përgjigjen. Zgjedhjet e 14 majit janë një tmerr për Edi Ramën, sepse sot ai ka një pushtet që e kontrollon 100%. Ai e di shumë mirë se situata në 14 maj jo vetë do të jetë një mesazh i fortë ndryshimi, por 15 maji instalon llogaridhënien në nivel vendor”, u shpreh Meta.

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?