Protestat më paqësore të tranzicionit

Analize

Preç Zogaj  

Ata që kanë  menduar se me Berishën në krye “do t’i futemi  brenda” qeverisë së Ramës, “do ta rrëzojmë”, “do ta çojmë për lesh” e plot verdikte të tjera si këto, kanë mbetur të zhgënjyer me të dyja protestat e thirrura prej tij në cilësinë e kryetarit të PD-së për pjesën e Rithemelimit. Me atë të 7 korrrikut dhe me ketë të fundit të 12 nëntorit.

Duhet ta themi që në fillim: nuk është Berisha që ka tradhtuar pritshmëritë  e  partizanëve të dhunës. Janë këta të fundit në keqkuptim me kohën dhe konjukturën politike në të cilën është i shtrënguar të veprojë Berisha me lëvizjen e tij të Rithemelimit. Konjukturë e cila nuk i jep asnjë shans suksesi radikalizmit të dhunshëm. Madje do përkeqësonte në kufijtë e asgjësimit liderin që do të tundohej ta përdorte. Çdo lider. Aq më shumë Berishën. Ky e di shumë mirë ketë.

Cila është kjo kohë?

Është koha politike e Perëndimit demokratik që bën diellin dhe shiun edhe në vendin tonë të vogël.  Pavarësisht se gjithë enturazhi politiko- mediatik rreth Berishës ngulmon t’i tregojë zhvillimet në Shqipëri të shkëputura nga konteksti ndërkombëtar, ai e njeh shumë mirë ndërvarësinë e politikës vendore nga  zhvillimet ndërkombëtare dhe ato amerikane në veçanti.

Të marrim për ilustrim luftën në Ukrainë. Kemi shkruar shpesh për këtë ngjarje të botës në kohën tonë. Zhvillimet e reja nga fronti i luftimeve, ku Ukraina po çliron qytete dhe toka të pushtuara, ndërsa Rusia agresore po tërhiqet me humbje të rënda, janë dekurajuese për skenaristët dhe skenarët e hapjes së një fronti të dytë të Rusisë në rajonin tonë. Njëherësh janë një lajm i keq për ato grupime  politike të vetëquajtura sovraniste në Europë dhe Ballkan, sovranizmi i të cilave drejtohet kundër NATO-s, SHBA dhe BE-së,  por jo kundër Moskës.

Ose marrim një ngjarje tjetër me rëndësi ndërkombëtare, siç ishin zgjedhjet e mesmandatit në SHBA për rinovimin e dhomës së përfaqësueseve dhe të Senatit. Ato dhanë një përgjigje të qartë qoftë për lëvizjet radikale mohuese të verdiktit të  votës edhe pasi janë shprehur gjykatat, qoftë për sulmet e dhunshme mbi Kapitol Hill vitin e shkuar të mbështetësve të ish Presidentit Tramp. Ata humben.  Demokracia e tregoi sërish  forcën e saj të mbështetur në votën e lirë.  Këto zgjedhje që zakonisht kanë qenë një  lloj rituali i kalimit të  mbështetjes popullore  te partia opozitare me atë të Presidentit në fuqi, fituan një rëndësi  të panjohur më parë, duke mos lejuar që  demokracia të merret neper këmbë, të degradojë, të shndërrohet në një fjalë të keqe. Nëse ekstremistët e dhunshëm do të kishin fituar në zgjedhjet e mesmandatit në SHBA, ekstremistët e ngjashëm në botë e sidomos në rajonin  tonë nuk do të mendoheshin  dy herë për ti vënë flakën me lloj-lloj  alibish e termash që nuk është vështirë të gjenden. Humbja e tyre  e bëri më të fortë SHBA dhe demokracinë. Kjo nuk mund të mos  reflektohet në përmbajtjen e drejtuesëve politikë për t’ju drejtuar mjeteve legjitime e të gjithëpranuara kur është fjala për të  kontestuar qeverinë.

Shqipëria jonë, drejtuesit politikë  të opozitës sonë nuk mund të jenë jashtë këtyre zhvillimeve. Sa herë harrojnë të jenë apo zgjedhin me vetëdije të fshehin kokën si struci bëjnë hara-kiri. Nuk mund të them nëse Sali Berisha e ka  bërë bindje të brendshme mospërdorimin e dhunës në protesta,  apo i trembet  për shkak të rrethanave politike të kohës dhe vetës se tij. Fakti është se ai po tregohet i kujdesshëm në këtë pikë. Pavarësisht se është detyruar të shfaqet  kontradiktor para  një fashë ndjekësish që e  mendojnë si Marsin, perëndinë e luftës.

Në një anë i duhet  t’i mbajë  të karikuar këta ndjekës  me  një retorikë force që e  le evazive, në  interpretimin vetjak të secilit  “ hyrjen brenda”, domethënë marrjen e kryeministrisë  me dhunë, si në 14 shtator 1998, ngjarje e cila  ka formuar çuditërisht kuptimin e mjaft  opozitarëve  radikalë  për marrjen e pushtetit, pavarësisht se protagonistët e asaj date nuk morën asgjë, përveç dënimeve me burg disa prej tyre.

Më tej, është i detyruar t’i ushqejë me idenë se Lulzim Basha i çonte deri në njëfarë vendi kauzat e tyre, por kur vinte momenti për t’ finalizuar, i tradhtonte, sepse ishte në marrëveshje  me Ramën e plot broçkulla  të tilla që në të vërtetë kanë zënë vend në mendjen e shumë demokratëve  të keqkuptuar që i dëgjojmë të  thonë “ Berisha i del në skaj, Basha na la në baltë”!

Nga ana tjetër vështirë  të harrojë   se protestat e drejtuara nga Basha gjatë kohës së djegies së mandateve,  në kufijtë e përdorimit të mjeteve të dhunshme siç ishin molotovët disa prej tyre,  ishin gjithnjë të monitoruara dhe të paralajmëruara nga partnerët  amerikanë për vijën e kuqe, përtej së cilës  subjekti politik në fjalë  rrezikonte  të shpallej organizatë e dhunshme, pra të merrte karton të verdhë. E kuqja në këtë “ sport” është shpallja organizatë terroriste. Në rrethanat e reja  një politikan me përvojë si Berisha nuk mund ta  përjashtojë   kalimin direkt tek e kuqja nëse do t’u jepte partnerëve një shkas të përdorimit të dhunës.

Në të  vërtetë  protestat e thirrura prej tij  janë e do të jenë ndër më paqësoret  e tranzicionit. Kush nuk e ka kuptuar duhet ta kuptojë.  Koha dhe konjutura politike  në vijim nuk favorizojnë qasje  të dhunshme.  Për fat. Protestat kanë një vlerë të pazëvendësueshme. Sidomos kur thirren nga  grupime qytetare. Por pushteti në demokraci  merret vetëm me votë. Dhe në këtë pikë  opozita, më saktë opozitat, duhet të kërkojnë rrugë e reja, që nuk kalojnë domosdoshmërisht nga  grumbullimet në formë apeli të militantëve në bulevardin   “Dëshmorët e kombit”.

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?