Alibeaj mohon takimin me Berishën. Fantazi analistësh
Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj hedh poshtë aludimet e bëra në media se ka zhvilluar një takim sekret me ish-kryeministrin Sali Berisha.
Pak çaste pas deklaratës së analistit Artur Zheji, i cili tha se Alibeaj është takuar në sekret me Berishën, por nuk kanë rënë dakord, deputeti i PD thotë se diçka e tillë është “fantazi”.
Alibeaj shpreht se çështjet thelbësore sipas tij nuk zgjidhen me prapaskena dhe takime sekrete por me përballje me të vërtetën.
“Takimet “sekrete” dhe “prapaskenat” mund të jenë subjekt për ndonjë tregim apo roman, por jo për të përshkruar atë që po ndodh së fundmi në PD. Megjithë dëshirën e mirë dhe fantazinë e zhvilluar të disa analistëve nuk ka patur asnjë takim sekret.
I qëndroj bindjes time se ndarjet për çështjet thelbësore nuk zgjidhen as me prapaskena dhe as me takime sekrete. Përballja me të vërtetën është melhemi i vetëm për realitetin”, ka deklaruar Alibeaj.
