Milaim Zeka: Nëse duam BE-në do lejojmë martesat gay.
Gazetari Milaim Zeka deklaroi në MCN Live se Shqipëria dhe Kosova duhet të aprovojnë ligjin për martesat gay nëse dëshirojnë anëtarësimin në BE. Ndërsa debatoi me ish-myftiun Ylli Gurra i cili u shpreh pro një referendumi për këtë çështje, Zeka tha se referendumi do ishte absurd, pasi nuk mund të vendosin shqiptarët për jetën e një personi.
Nëse duam të hymë në BE e kemi domosdoshmëri të aprovojmë ligjin, apo në këtë rast Kosova ku ballafaqohet me Kodin Civil. Është muhabet i thjeshtë, do të hysh në BE e miraton këtë ligj, s’do të hysh s’e miraton. Ne historikisht gjysmën e këngëve, i kemi këngë kushtuar homoseksualëve, ose burra të mëdhenj të kombit kanë qenë homoseksualë. Nëse nëpër studio televizive ftohet një grua që thotë i kam gjetur burrit dy gra të tjera, shumë më bizarre është kjo se sa kërkesa e BE-së për miratimin e ligjeve. Duke qenë ne një vend i mbrapsht, si Kosova dhe Shqipëria, me politikanë matrapazë dhe hajdutë, duhet të merren me ne. Sa i përket Kodit Civil ata nuk po ta imponojnë, ata thonë nëse do të hysh në BE voto ligjin, nëse nuk do mos e voto”.
Duke debatuar me Ylli Gurrën, Zeka tha:
Me çfarë të drejtë do organizosh referendum për jetën time?! Nëse vajza ime nesër vjen e më thotë jam lezbike, çfarë do bëj unë, do t’i them ti s’do martohesh sepse shqiptarët kanë vendosur me referendum! Kjo është absurde. Mohimi i të drejtës së fëmijëve që të vendosin për fatin e vet, qoftë përmes kishës dhe xhamisë është shtypje, nënshtrim i të drejtës sonë. O me hatër, o me zor, do ta aprovojmë ligjin në Kosovë dhe Shqipëri dhe do hyjmë në BE”.
Teksa u pyet mbi poligaminë, Zeka tha:
Përderisa jemi një shoqëri me mentalitet mesjetar, idiotësi të tilla bëjnë jehonë dhe kanë efekte në shoqërinë tonë. Fetë duhet të përshtaten me traditën e lashtë të kombit tonë. Në Kuran shkruhet dera e ferrit u hapet më së pari hoxhallarëve. Sepse hoxhallarët dhe priftërinjtë, ashtu si politikanët, janë deformuesit e parë të librave të shenjtë, dhe politikanët deformuesit e demokracisë. Një mijë herë më parë e preferoj ferrin, se sa të shkoj me budallenj të tillë në parajsë”./ MCNTV/

