Berisha: Do të çojmë ligjin që të ndalojë komunistët në Kuvend
Sali Berisha u shpreh në një takim me banorët e Gramshit se nesër do të dorëzojnë në parlament ligjin e lustracionit dhe dekomunistizimit.
Berisha tha se tashmë janë në prag të primareve dhe me futjen e tyre i japin një frymëmarrje demokracisë shqiptare.
“Jemi në prag primareve. Shfrytëzoj rastin që të ju bëj thirrje ju, të bëni gjithçka që ky proces të jetë më seriozi. Me futjen e primareve ne i japim një frymëmarrje demokracisë shqiptare.
Nëse PS-ja e hoqi votimin brenda saj. E morët vesh që në PS nuk votohet më për zgjedhjet e kryetarëve të degëve, gjithçka përcaktohet si në kohën e Enver Hoxhës nga kryesia e partisë dhe sekretari i parë, kryetari Edi Rama.
Ua kam thënë atyre në parlament që kështu siç jeni, u garantoj se do të ju nxjerr jashtë ligjit. Në ç’kuptim. Në Shqipëri nuk lejohen parti ku nuk votohet. E ka Gjermania dhe e ka vendosur këtë ligj, që të mos ktheheshin ato parti që i bënë gjëmën asaj dhe siç na e bënë ne.
Ju dëgjova për të gjitha vërejtjet e drejta dhe do të them edhe një gjë, meqenëse keni qenë dhe në Itali. Lufta kundër komunizmit në shkallë botërore nuk u zhvillua. Në ç’kuptim, komunizmi ka pasur nga 100 deri në 200 milionë viktima. Nazizmi me luftë ka pasur 20-30 mln viktima.
Për nazizmin u bë një gjyq në Nuremberg, por në çdo skaj të asaj toke viheshin tabela ‘kurrë më’, pikërisht për tu ndarë nga nazizmi. Kjo nuk ndodhi me komunizmin.
Ne vendosëm ligjin, e luftës kundër gjenocidit dhe krimeve kundër njerëzimit gjatë regjimit komunist. Alternanca e pushtetit e bllokoi veprimin e tij.
Nesër ne dorëzojmë në parlament ligjin e lustracionit dhe dekomunistizimit përsëri. E miratuam në 2008 ligjin e lustracionit, e rrëzoi Gjykata Kushtetuese në mënyrë të padrejtë. Ne përsëri i qëndrojmë qëndrimit tonë dhe do ta dorëzojmë në parlament.”-deklaroi Berisha.