600 euro për dëshmi penaliteti të rreme, Drejtori i Burgjeve përjashton punonjësin

Aktualitet

Admir Abrija, drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve ka urdhëruar urdhëruar largimin nga shërbimi civil të punonjësit Arben Tusha me detyrë Specialist në Sektorin e Gjendjes Gjyqësore. Ky shtetas i ka marrë ryshfet një qytetari për dëshmi penaliteti të rreme, një shumë prej 600 euro.

Gjithashtu, Abrija ka urdhëruar fillimin e ecurisë disiplinore për personat përgjegjës në Drejtorinë Juridike dhe Sektorin e Gjendjes Gjyqësore, që kishin për detyre mbikëqyrjen dhe kontrollin e veprimtarisë së punës së punonjësit në fjalë, si dhe punonjësve të policisë së burgjeve që shfaqen në pamjet e publikuara – ndaj të cilëve si masë paraprake është aplikuar pezullimi i tyre nga detyra.

Këta shtetas janë shfaqur në pamjet e transmetuara mbrëmjen e djeshme në emisionin investigativ “Stop”.

Mirëpo, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve thotë se ndaj shtetasit që ëhstë lëshuar dëshmi e rreme, në fakt nuk kishte asnjë penalitet dhe prej vitit 2017 ai ishte i pastër. Në këto kushte, ai mund ta merrte dëshminë e penalitetit në e-Albania, duke aplikuar vetë.

“Lidhur me ketë ecuri burgimi, ndaj shtetasit në fjalë nga DPB janë lëshuar dokumente të rregullta si vërtetim i periudhës së burgimit si dhe vërtetim i gjendjes gjyqësore deri në episodin e shfaqur në emisionin investigativ”, thuhet në reagim.

Komunikatë zyrtare e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve

DPB ka ndjekur me shqetësim pamjet e transmetuara në emisionin investigativ “STOP” në TV Klan në datë 20.09.2022, ku shfaqej një punonjës i shërbimit civil në zyrën e gjendjes gjyqësore në DPB, i cili përkundrejt ryshfetit pajis një qytetar me vërtetim të gjendjes gjyqësore duke pasqyruar të dhëna të rremë, vërtetim i lëshuar jashtë platformës e-albania, rast për të cilin ju informojmë:

  • Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, menjëherë ka urdhëruar largimin nga shërbimi civil të punonjësit Arben Tusha me detyrë Specialist në Sektorin e Gjendjes Gjyqësore.
  • Gjithashtu Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve ka urdhëruar fillimin e ecurisë disiplinore për personat përgjegjës në Drejtorinë Juridike dhe Sektorin e Gjendjes Gjyqësore që kishin për detyre mbikëqyrjen dhe kontrollin e veprimtarisë së punës së punonjësit në fjalë, si dhe punonjësve të policisë së burgjeve që shfaqen në pamjet e publikuara – ndaj të cilëve si masë paraprake është aplikuar pezullimi i tyre nga detyra e konkretisht Kryeinspektor Flamur Haslamaj dhe N/Inspektor Agron Celami.
  • Nga strukturat e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve në bashkëpunim me Prokurorinë e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit vijojnë veprimet në kuadër të procedimit penal lidhur me konsumimin e veprave penale të “Korrupsionit pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Falsifikimi i dokumenteve nga personi që ka për detyrë të lëshojë dokumentin,” parashikuar nga nenet 259 dhe 186/3 i K. Penal.

Lidhur me situatën ligjore të personit ndaj të cilit është lëshuar vërtetimi i gjendjes gjyqësore i cili është dhe denoncues i rastit, sqarojmë se:

  • Me vendimin e muajit Tetor 2012 të Gjykatës Lezhë është dënuar me 8 Vjet Burgim për kryerjen e veprave penale të parashikuara nga nenet 76-22 dhe 278/2 të K. Penal.
  • Me vendimin e muajit Janar 2014 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Mat është dënuar me 6 Muaj burgim për kryerjen e veprës penale të parashikuar nga neni 237 të K. Penal.
  • Me vendimin e muajit Shtator 2014 të Gjykatës Mat është vendosur bashkimi i pjesës se mbetur nga dënimi prej 8 Vjetësh Burgim me dënimin prej 6 Muajsh burgim, duke u dënuar përfundimisht me 3 Vjet e 6 Muaj.

Shtetasi në fjalë ka përfunduar dënimin e caktuar përmes vendimeve të mësipërme në datë 14.01.2017 si rrjedhoje e përfitimit si ulje të pjesës së mbetur të dënimit nga zbatimi i ligjit 141/2016 “Për dhënie amnistie”.

Lidhur me ketë ecuri burgimi, ndaj shtetasit në fjalë nga DPB janë lëshuar dokumente të rregullta si vërtetim i periudhës së burgimit si dhe vërtetim i gjendjes gjyqësore deri në episodin e shfaqur në emisionin investigativ.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve  falënderon median dhe i fton ato dhe qytetarët të denoncojnë çdo rast abuziv të punonjësve në sistemin e burgjeve, duke garantuar se do të veprohet me shpejtësi dhe ashpërsinë e ligjit.

Duke marrë shkas edhe nga ky rast, DPB është duke i propozuar Ministrisë së Drejtësisë ndryshime në aktet rregullative për hartimin e procedurave standarde të punës sa lidhet me administrimin e regjistrit të gjendjes gjyqësore.

Duke ju falënderuar

 

 

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?