Masakrohet me thikë për parkim 41 vjeçari në Sarandë
Klodian Bakiaj është personi që ka ndërruar jetë pasditen e sotme në spitalin e Sarandës si pasojë e një konflikti të çastit që ka degjeneruar në përdorimin e thikës. Mësohet se shkak i sherrit ka qenë një vend parkimi pranë një hoteli në qytetin bregdetar.
Paraprakisht dyshohet se 41 vjeçari që ka mbetur viktimë këtë pasdite është me origjinë nga Tepelena. Ai është konfliktuar me persona ende të paidentifikuar nga Policia, pranë hotel “Monte Cristo” në lagjen nr.1 të Sarandës, dhe ka mbërritur në spital me plagë të shumta.
Rreth orës 19.00 është konfirmuar dhe vdekja e tij, ndërsa shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje dhe po punojnë për kapjen e autorit.
“Në vijim të informacionit paraprak të dhënë, ku dyshohet se gjatë një konflikti të çastit, një shtetas, si pasojë e dëmtimeve me mjete prerëse ka ndërruar jetë, në spitalin e Sarandës, ju informojmë se:
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore, është bërë i mundur identifikimi dhe shpallja në kërkim e autorit të dyshuar, shtetasit Xh. T., 24 vjeç, banues në Laç.
Shtetasi Xh. T, dyshohet se gjatë një konflikti të çastit, në lagjen nr.1, Sarandë, ka goditur me mjete prerëse shtetasin K. B., 41 vjeç, banues në Tepelenë, i cili si pasojë e dëmtimeve të marrë, ka ndërruar jetë në spitalin e Sarandës.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë vijojnë punën intensive për kapjen e autorit të dyshuar. Grupi hetimor vijon punën për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë ngjarje si dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes”, njofton Policia.