Ja kush janë deputetët e PD të ftuar në Kongresin e PPE

Aktualitet Politike

Situata e trazuar në Partinë Demokratike do të jetë objekt diskutimi në Kongresin e PPE-së që do të zhvillohet më 31 maj dhe qershor në Roterdam të Holandës. Gazeta “Panorama” ka zbardhur axhendën e punimeve të kongresit dyditor në Roterdam, ku mësohet se do të jenë tre deputetë të Partisë Demokratike të Shqipërisë, e cila është ndarë në dy seksione. Mësohet se në kongres do të jetë deputetja Jorida Tabaku, Belind Këlliçi dhe deputetja Albana Vokshi.

Referuar ftesave të bëra, duket se PPE-të i referohen Partisë Demokratike të para 8 muajve dhe nuk merr në konsideratë asnjë zhvillim të ndodhur në këtë periudhë, veç faktit të dorëheqjes së Lulzim Bashës. Kjo vërehet lehtësisht për faktin se ftesa i ka shkuar Jorida Tabakut, e cila është nënkryetare e Partisë Demokratike me detyrë specifike për marrëdhëniet me jashtë. Po ashtu, ftesa është edhe për drejtuesit e dy organizatave partnere të Partisë Demokratike. Ftesa është bërë për kryetaren e Lidhjes së Gruas së PD së, e cila është Albana Vokshi dhe për Belind Këlliçin, i cili te PPE rezulton të jetë ende kryetari i Forumit Rinor të Partisë Demokratike.

E ndërsa PPE të vijojnë të njohin strukturat e para 8 muajve, në Shqipëri Partia Demokratike ka realizuar disa procese. Aktualisht, ndonëse do të shkojnë në Kongresin e PPE-së si anëtarë të një partie, në Shqipëri të tre deputetët janë të faktorizuar. Deputeti Belind Këlliçi dhe Albana Vokshi, pas përplasjes Berisha Basha, u pozicionuan në mbështetje të Berishës, ndërsa deputetja Tabaku qëndroi në grupin parlamentar, duke mos iu bashkuar lëvizjes së Berishës, të quajtur “Foltorja”.

Ndërkohë që aktualisht është e paqartë se kush do të jetë drejtuesi faktik i PD-së, për shkak se çështja ndodhet në gjykatë. Pikërisht për këto probleme të brendshme të PD-së, në kongresin e 31 majit do të diskutohet edhe për qëndrimin që do të mbahet për PD.

Ndërkohë, në Roterdam pritet të zgjidhet Presidenti i PPE-së ku kandidat është Manfred Weber, aktualisht kryetar i Partive Popullore Europiane në Parlamentin Europian dhe deputet i CSU në Gjermani. Ndërkohë, ditën e dytë të Kongresit do të zgjidhen sekretari i përgjithshëm dhe zëvendëspresidentët.

PARALAJMËRIMI

Pak ditë më parë, në një intervistë për DW, eurodeputeti kristiandemokrat në Parlamentin Gjerman, Gunther Krichbaum, folës i Grupit Parlamentar CDU/CSU për çështje të Bashkimit Europian u shpreh se ai nuk do të bashkëpunojë më me PD-në, nëse në krye të saj qëndron Sali Berisha.

Ai tha se demokratët duhet të lexojnë mirë fjalët e SHBA-së. “Së pari, më vjen shumë keq për zhvillimet në PD dhe nuk jam i vetmi. Sigurisht që është çështje e vetë partisë se kë dëshiron të zgjedhë për lider. Neve nuk na takon të ndërhyjmë. Por kjo do të thotë edhe për ne dhe për mua personalisht, se unë do të vazhdoj të punoj dhe ta mbështes PD-në vetëm nëse jepet një sinjal largpamës në përzgjedhjen e kryetarit. Nëse nuk do të jetë kështu, por do të ketë kthim në të djeshmen, në mos të pardjeshmen, atëherë kjo nuk mund të gjejë mbështetjen time personale.

Në një rast të tillë, unë do të angazhohesha që të pezulloheshin procedurat për anëtarësim në nivel të Partisë Popullore Europiane. Sepse ne, si parti Parti Popullore Europiane, duhet të ecim përpara. Besoj se u shpreha qartë ashtu siç e thashë. Partia lipset të marrë një vendim të mençur dhe të marrë parasysh efektin në planin ndërkombëtar, nëse në të vërtetë ndjek pretendimin se jo vetëm dëshiron të bashkëpunojë në nivel ndërkombëtar, por edhe të marrë në dorë drejtimin e vendit.

Ky është qëllimi legjitim i një partie në demokraci: që të vijë në pushtet e të formojë qeverinë. Unë mendoj se amerikanët kanë gjetur fjalë të qarta dhe mendoj se partia bën mirë që fjalë të tilla të mos i lërë pa i dëgjuar”, tha eurodeputeti.

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?