Rama në Kuvend: Pensionet janë rritur me 11.2 për qind, rrogat me 91 mijë lekë
Kryeministri Edi Rama thotë se pensionet janë rritur me 11.2 për qind, falë indeksimit të fundit të qeverisë, përfshi edhe bonusin e fundvitit.
Rama renditi sot disa nga pikat kryesore të “paketës së rezistencës” që sipas tij do të ndihmojnë një sërë kategorish të përballojnë krizën e shkaktuar nga lufta në Ukrainë.
Rama tha se qeveria ka shmangur rritjen e çmimit të biletave të transportit publik, do të heqë taksën mbi pagën deri në 400 mijë lekë si dhe do të vijonë me planin për rritjen e pagave të infermierëve, mësuesve, ushtarakëve dhe kategorive të tjera.
Pjesë nga fjala e Ramës:
Pensionistët, paraplegjikët, tetraplegjikët që nuk kanë fuoristrada, nuk mund të çojmë faturën e energjisë së rritur, dhe për këtë arsye kemi vendosur të japim një bonus të veçantë. Një llogari e thjeshtë, me këtë bonus, me indeksimin e menjëhershëm që ne i bëjmë pensioneve dhe me bonusin e fundvitit, pensionet rriten plus 11.2 për qind. Ashtu sikundër shumë njerëz që shkojnë sot në punë, në fabrika nuk shkojnë me veturë, por me autobus, dhe shumë shqiptarë që lëvizin nga një qytet në tjetrin, lëvizin me autobus. Ne nuk mundet që t’u faturojmë këtyre asgjë nga barra e krizës, por duhet të paguajmë për ta që sistemi i transportit të mos falimentojë dhe në biletë të mos ketë asnjë rritje çmimi. Afrimi në kohë i një vendimi që kemi marrë, i zerimit të taksës së fitimit mbi pagën deri në 400 mijë lekë, dhe përgjysmimi i taksës deri në 500 mijë lekë të vjetra. Kemi një rritje të pagës sot 91 mijë lekë të vjetra që nuk është pasqyrë e pagës reale, me pagat e deklaruara. Dhe kjo është një tjetër shtysë për formalizim por edhe për të derdhur më shumë lekë në xhepin e atyre që fitojnë më pak. Nuk do të lëvizim nga vendimi për të rritur pagat e mësuesve, infermierëve, ushtarakëve.