Politike

Berisha konfirmon kandidimin në garën për kryetar të PD-së

Ish-kryeministri Sali Berisha konfirmoi sot gjatë foltores së Kavajës se do të jetë njëri prej kandidatëve në garë për kreun e PD-së.

“Ftoj çdo delegat të Kavajës, çdo delegat të Kuvendit Kombëtar të firmos që të instalojmë primaret, që të rikthejmë referendumin, të firmosë natyrisht që të hapim një garë, në të cilën garantoj që çdo njeri që do të hyjë, do ketë një garë të lirë, natyrisht njëri prej tyre do të jetë edhe Sali Berisha”, tha ish-kryeministri.

Më herët, në fjalën e tij Sali Berisha iu drejtua deputetëve të PD-së që të refuzojnë çdo marrëveshje me Edi Ramën, duke paralajmëruar se përgjegjësia do të jetë e madhe.

Disa ditë më parë gjatë foltores së Beratit, Sali Berisha tha se këtë javë do të njoftohet data për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar.


Kujtojmë që kryedemokrati Lulzim Basha ka deklaruar se nuk do të lejojë mbledhjen e Kuvendit Kombëtar të PD-së. “Sa të jem unë kryetar i PD, Kuvendi s’merr dot vendime që janë kundër Amerikës”, është shprehur Basha mbi këtë çështje.

 

 

Sali Berisha dha dorëheqjen si kryetar i PD-së në vitin 2013, pas humbjes në zgjedhjet parlamentare. Prej 8 vitesh PD drejtohet nga Lulzim Basha, i cili u rikonfirmua në krye të partisë në zgjedhjet e mbajtura në 13 qershor.

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?