Rama në qendrën e vaksinimit: Po punojmë për njohjen e Certifikatave të vaksinave me BE!
Kryeministri Edi Rama ndodhet mesditën e sotme në qendrën shëndetësore nr.1 në Tiranë, e cila shërben dhe si qendër vaksinimi anti-Covid. Rama ka bërë me dije se Qeveria po punon me Bashkimin Europian për njohjen e certifikatave të vaksinave.
BE nuk njeh ende vaksinat kineze dhe ruse, të cilat në Shqipëri janë aplikuar masivisht.
Kryeministri përsëriti dhe njëherë se studentët, mësuesit, pedagogët dhe administrata duhet të vaksinohen. Për studentët, ai tha se nëse nuk vaksinohen, nuk do të lejohet të futen në auditore.
“Vaksina jo domosdoshmërisht të mbron nga infektimi, por ama në momentin që infektohesh të mbron nga format e rënda. Kurse mos-vaksinimi të çon deri në vdekje.
Studentët që nuk do vaksinohen, nuk do hyjnë në auditore. Ata nuk mund të rrezikojnë të tjerët. Askush nuk i merr dot me forcë dhe nuk ka ndërmend, por në mjedise ku jaën të tjerët, duhet të vaksinohesh.
Aty ku janë mjedise publike me shumë njerëz, duhet të vaksinohesh. Nuk ta kanë borxh të tjerët. E mira është të vaksinohesh, por në fund të ditës nuk mund të kërcënosh dhe jetën e të tjerëve”, tha Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë.