GENOCIDI, GJEOPOLITIKA DHE LOBINGJET
Nga Gentian Çala
Shumëkush, në Serbi dhe gjetkë, është munduar që historinë e dekadave të fundit në Ballkanin Perëndimor ta tjetërsojë apo ti paraqesë të gjitha etnitë si të përfshira në krime kundër njerëzimit. Duket se kjo ka ndryshuar rrugës edhe përkitazi me interest e fuqive të mëdha, me lobingjet e caktuara dhe me interesa gjeopolitike. Për fat të keq, shumë shpesh pushteti në trevat shqiptare ka shkuar pas interesit të pushteti dhe jo të atij kombëtar, duke shërbyer si urë e interesave jo shqiptare. Madje pohimet pro interesave kombëtare shpesh janë etiketuar si nacionaliste ose si politikisht jo korrekte, duke dashur ti japin retorikës drejtimin që u duhet atyre.
Politika e kompleksuar nga pushteti tregohet shpesh konformiste ndaj interesave të fuqive të mëdha apo të lobeve politiko – ekonomike, duke bërë me shkas apo pa dashje gabime që janë historikisht dhe jo vetëm, jo korrekte. Këtij ndryshimi të pikës së rëndesës në Ballkan I kemi kontribuar edhe ne me paaftësinë për të krijuar demokraci funksionale, ekonomi të konsoliduara apo partnerë të besueshëm.
Nëse topi i shkaksisë kthehet te ne, kjo nuk do të thotë që historia dhe faktet të trajtohet si llastik. Në Ballkan ka pasur genocid nga serbët mbi popujt e tjerë dhe kjo duhet dënuar publikisht dhe politikisht.
Miqësia dhe paqja ndërmjet popujve nuk ndërtohet as me urdhër politik, as me lobingje dhe as me improvizime politike, Ajo ka në thelb pranimin e të vërtetës, faljen dhe mirëkuptimin. Gjithçka tjetër nuk funksionon ose vlen për pak kohë. Ballkanit paqja nuk i vjen si dhuratë as si vizatim prej kujtdo jashtë tij, por si gatishmëri e popujve për bashkëjetesë. Dënimi I genocidit dhe distancimi prej tij, është parakusht bashkëjetese.
Tashmë kjo duhet kuptuar nga qeveritë e vendeve të Ballkanit duke filluar nga ajo serbe. Kurse politika e vendeve të tjera duhet ta nisë me dënimin e genocidit.