Aktualitet

VOA: Ka të dhëna të forta, ish-bashkëshorti dhe kunati i Imerajt mund të jenë dënuar për prostitucion

Në Shqipëri, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM), i rekomandoi të hënën Komisionerëve Publikë që të ankimojnë vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) për konfirmimin në detyrë të prokurores Elizabeta Imeraj, e cila drejton aktualisht Prokurorinë e Tiranës.

Rekomandimi i ONM-së erdhi ditën që KPK-ja publikoi vendimin e zbardhur për zonjën Imeraj, e cila ishte vlerësuar pozitivisht në të tria kriteret. Por ekspertët ndërkombëtar nga ana e tyre rekomandojnë që ankimimi duhet gjithashtu të përfshijë të tria kriteret. Vendimi i tyre nuk përbën ndonjë surprizë, duke qenë se gjatë seancave në KPK, ata ngritën dyshime të forta ndaj saj dhe mes palëve pati një përplasje të fortë.

Në dokumentacionin dërguar Komisionervë publikë nënvizohet se “në gjykimin e ONM-së, vlerësimi i duhur i fakteve dhe rishqyrtimi i të dhënave dokumentare do të bëjë që Kolegji i Posaçëm i Apelimit të rrëzojë vendimin e KPK-së dhe ta shkarkojë nga vazhdimi i mëtejshëm i detyrës”.

Duke u ndalur te pasuritë e zonjë Imeraj, ONM-ja shprehet se një kredi prej dy milion lekësh e marrë prej saj dhe bashkëshorti i saj, me të cilin është divorcuar në vitin 2019 “është tejet e dyshimtë. Subjekti i rivlerësimit dështoi të ofrojë dokumenta apo shpjegime të përshtatshme dhe KPK neglizhoi kryerjen e një hetimi të plotë”. Të njejtin gjykim, ONM-ja ka dhënë për një tjetër pronë të paluajtshme, ndërsa ngre pikëpyetje të shumta dhe mbi disa prona të tjera të saj dhe ish bashkëshortit.

Ndër argumentat që mbështesin rekomandimin për ankimin e vendimit të KPK në favor të prokurores Imeraj, ONM-ja përmend dhe një çështje që përfaqësuesit e saj e kishin ngritur dhe gjatë procesit në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Sipas ONM-së, për ish bashkëshortin dhe ish kunatin e saj, “ka të dhëna të forta se janë dënuar për Trafikim të qenieve njerëzore dhe organizim prostitucioni në Romë të Italisë në vitin 2002”. Zonja Imeraj e ka hedhur poshtë një fakt të tillë duke pretenduar se bëhet fjalë për dy persona të tjerë me të njejtët emra. Por sipas ONM-së koincidencat janë të mëdha, pasi “në rastin e ish bashkëshortit bëhet fjalë për datë lindje dhe muaj lindje të njejtë, ku ndryshon vetëm viti, ndërsa në rastin e ish kunatit të njejtën datëlindje si sosia e tij”.

Me tone kritike ndaj KPK-së, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit shprehet se ky komision “dështoi të bënte një hetim të thelluar dhe të verifikonte kontaktet mes subjektit të rivlerësimit dhe dy personave të dënuar. ONM-ja kërkon me forcë një hetim më të thelluar mbi këtë çështje duke qenë se hetimi i KPK-së ishte i paplotë, shjegimet e zonjës Imeraj nuk ishin bindëse dhe një lidhje e tillë do të minonte qartësisht besimin në sistemin e drejtësisë”.

ONM-ja ngre gjithashtu dyshime të forta se divorci i prokurores nga bashkëshorti “ka qenë fiktiv, si një përpjekje për të distancuar veten nga veprimet e paligjshme të ish bashkëshortit e për ta shmangur këtë të fundit si objekt i kontrollit nga procesi i rivlerësimit. Kjo mënyrë sjelljeje, ngre pikëpyetje shumë serioze lidhur me standartet e saj etike dhe integritetin e saj moral. Si e tillë duhet konsideruar si një qëndrim joetik, i një niveli të tillë që kërcënon besimin publik në sistemin e drejtësisë”.

ONM-ja kritikon hapur qëndrimin që prokurorja Imeraj mbajti gjatë përballjes me përfaqësuesit e saj në seancat e KPK-së. “Një sjellje aspak profesionale, duke refuzuar t’i përgjigjet pyetjeve të Vëzhguesit Ndërkombëtar, apo duke u përgjigjur me një vrazhdësi dhe armiqësi të jashtëzakonshme. Vetëm kjo sjellje është një bazë e mjaftueshme për Komisionerët publik që të bëjnë ankimim, duke qenë se tenton të minojë besimin në sistemin shqiptar të drejtësisë”.

Sipas ligjit Komisionerët publikë kanë të drejtë të bëjnë ankim pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, brenda 15 ditëve nga data e njoftimit të vendimit nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Deri më tani në të gjithë rastet kur ONM-ja ka rekomanduar ankimim, Komisionerët e kanë marrë parasysh atë, duke iu drejtuar Kolegjit.

Marrë nga Zëri i Amerikës 

Total 3 Votes
1

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?

PANELE DIELLORE-Solares Albania