Balla/ Pse e fsheh rolin si Përgjegjës Operacional i Hagës?
Sekretari i Përgjithshëm i PS Taulant Balla, këmbëngul që kreu i PD Lulzim Basha duhet të flasë për rolin dhe veprimet e tij si përgjegjës operacional i Hagës gjatë vitit 1999. Sipas socialistit, Basha duhet të sqarojë firmën që ka hedhur për hetimin e luftëtarëve të UÇK.
“Pse nuk sqaron rolin, detyrat funksionale, pjesëmarrjen dhe firmën e tij mbi dokumentat e hetimit të luftëtarëve të UÇK, pse jo dhe përfitimet financiare si Këshilltar Ligjor në Misionin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) gjatë viteve 2000-2004?”, shkruan Balla ndër të tjera.
Shkrimi i Taulant Ballës:
Si ka mundësi që dëshmitarë të masakrave dhe luftëtarë të betejave për liri në Kosovë, drejtojnë gishtin me referenca kohore dhe dëshmi ndaj Lulezim Bashës dhe ky vazhdon t’i fshihet përgjegjësisë morale e publike, duke gënjyer?
Pse mundohet ta fshehë Lulezim Basha rolin dhe veprimet e tij si Përgjegjës Operacional në Zyrën e Tribunalit Ndërkombëtar për Krimet e Luftës në ish‐Jugosllavi në Tiranë gjatë vitit 1999?
Pse nuk sqaron rolin, detyrat funksionale, pjesëmarrjen dhe firmën e tij mbi dokumentat e hetimit të luftëtarëve të UÇK, pse jo dhe përfitimet financiare si Këshilltar Ligjor në Misionin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) gjatë viteve 2000-2004?
Nëse Lulezim Basha realisht nuk ka gjë për të fshehur, atëherë të nxjerrë letrat.
Kujtojmë se një ndër masakrat më të mëdha serbe ndaj popullit të Kosovës është ajo e Krushës. E vetmja kasetë filmike e plotë e kësaj masakre, sipas poseduesit të saj Milaim Bellanica i ishte dorëzuar Lulezim Bashës, në atë kohë Përgjegjës Operacional në Zyrën e Tribunalit Ndërkombëtar për Krimet e Luftës në ish‐Jugosllavi në Tiranë.
