Elona Guri i përgjigjet Edi Ramës: Zuzar, nuk do ta keni më LSI në krah, por vetëm përballë!

Aktualitet Politike

Drejtuesja e LSI në Qarkun e Durrësit, Elona Guri ka reaguar pas deklaratave të Edi Ramës kundër LSI. Guri shprehet se në vitin 2013 Edi Rama lutej që të kishte në krah LSI dhe Ilir Metën, por tashmë do ta ketë vetëm përballë.

Koha më e lavdërueshme e jotja është pikërisht 2013, kur i luteshe Ilir Metës dhe i kërkoje falje për çdo gjë. Sot, megjithë dëshirën tënde të sëmurë për ta pasur LSI-në në krah e ke marrë përgjigjen dhe nuk do t’a kesh më. Në krahun tënd, si sot tek plehrat do kesh arkitektët e plehrave asnjë tjetër! Tani që zuzarët u bënë bashkë të gjithë qytetarët dhe atdhetarët do jenë bashkë”,- shprehet Elona Guri në një postim në Facebook.

Gjatë takimit të zhvilluar sot në Durrës, kryeministri Edi Rama sulmoi Presidentin Ilir Meta, kreun e PD, Lulzim Basha dhe kryetaren e LSI, Monika Kryemadhi.

“Luli është në një fazë që jo vetëm shkon në rrugë të gabuar por përton të fshehë edhe gjurmët e rrugës së gabuar. Pastaj vjen Monika bashkë me Ilirin, e kanë kthyer vëmendjen nga Durrësi, flasin përçart si njëri ashtu edhe tjetri, flasin për një hakmarrje të madhe që nis këtu nga Durrësi. Po Iliri ca do sjellë në Durrës? Europën? Problemi më i madh këtu është të ndihmojmë demokratët këtu se vërtet do votojnë për PD, por do kenë Monikën bashkë me Ilirin si peshqesh. Çfarë do të në Durrës Meta? Se durrsakët dhe shqiptarët e kanë bërë edhe kryeministër edhe kryetar parlamenti dhe president? Çfarë kërkon? Mos do Vilën e Zogut që ta ketë edhe një vilë në majë të kodrës si ajo që ka buzë detit? Çfarë kërkon më ndërkohë që e ka bërë institucionin e Presidencës destinacionin më qesharak të arsyes njerëzore, të vjen zor dhe keq, as armikut nuk i urohet ajo katandisje në atë gjendje. Ata që mendojnë se do votojnë LSI dhe do kapin PS ta harrojnë, mund të kapin Lulin por, s’ka më kthim pas. Ne do shkojmë para me njerëzit dhe për njerëzit, si forca më e madhe për të qeverisur Shqipërinë në Durrës dhe kudo”,- tha Rama.