Mafia s’e heton kurrë veten! Thirrje për hetim ndërkombëtar ndaj krimit shtetëror

Aktualitet

Nga Sali Berisha

Viktimat e Thumanës dhe disa nga ato të Durrësit mund të ishin të gjallë sot! Ato janë vrasje shtetërore, pa dashje apo pa qëllim dhe duhet të trajtohen te tilla.

Tërmeti i 26 nëntorit u parapri nga një tërmet prej 5,6 të shkallës Richter me qendër në të njëjtën zonë dhe thellësi. Tërmeti i 22 shtatorit u shoqërua me dëmtim të shkallëve të ndryshme të 1528 objekteve, shkatërroi plotësisht 50 banesa dhe dëmtoi dukshëm 160 pallate etj etj në Durrës, Krujë dhe Tiranë.

Ndër ndërtesat e dëmtuara në mënyrë serioze dhe që ishin raportuar si të pabanueshme nga banorët e tyre ishin edhe dy pallatet, që i morën jetën 22 banorëve nën rrënojat e tyre, por me siguri edhe të pallateve dhe banesave në Durrës.

Në rast se autoritetet zyrtare që inspektuan këto pallate në Thumanë dhe Durrës, nuk do të nënvleftësonin dëmtimin në strukturë, të shkaktuar nga tërmeti, banorët me detyrim do të ishin zhvendosur në vendstrehime të tjera dhe do të ishin gjallë sot.

Pra, ata de fakto vërtet vdiqën nga tërmeti i 26 nëntorit, por kjo ishte një vdekje e paralajmëruar për sa kohë nuk u larguan forcërisht nga pallatet e tyre të bëra të pabanueshme më 22 shtator.

Për rrjedhojë, kemi të bëjmë me një vrasje shtetërore, natyrisht jo e qëllimtë, por detyrimi i shtetit ndaj familjeve të këtyre viktimave ka rregulla të tjera dhe është dëmshpërblim i plotë sikundër, përgjegjësia e atyre që u treguan indiferentë në detyrë në rastin konkret – është personale dhe direkte.

Pikërisht për të fshehur gjurmët, provat e këtij krimi shtetëror, Edvin Mafia emëroi Çuçin e tij, ministrin e Familjes, shef të Gjendjes së Jashtëzakonshme, një rast unik në historinë e botës që një Ministër Bujqësie emërohet në një detyrë të tillë. Ky i fundit, në misionin e tij familjar, në një akt të pastër kriminal, orët e para të ditës së parë të punës, shembi në kundërshtim flagrant me ligjin, dy pallatet – prova të gjalla të krimit shtetëror në Thumanë dhe pallatin nën hetim në Durrës etj. etj.

Ndërkohë, shpresat për një hetim të ndershëm me Edvinin, krye kreu i Meduzës, janë zero.

Ndaj duke dënuar me ashpërsinë më të madhe, qendrimin kriminal ndaj pasojave të tërmetit të 22 shtatorit 2019 dhe veprimet kriminale të zhdukjes së provave të krimit nga Edvin Mafia dhe Çuçi i tij dhe duke pasur parasysh faktin se Mafia veten nuk e heton kurrë, bëj thirrje për një hetim të ndershëm të pavarur ndërkombëtar të këtij krimi të shëmtuar që kushtoi dhjetëra jetë dhe që rëndon e do të rëndojë në ndërgjegjen e çdo shqiptari.

Total 1 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?