EHW po vret shqiptarët me mish të infektuar! Alarmi
Gazeta- Ora dhe portal Rehatfare.al vijojnë të hedhin dritë në lidhje me skandalin e madh që ka ndodhur në vendin tonë për 25 ton mish të bllokuar në portin e Durrësit, mish i cili rezultoi i infektuar me salmonelë dhe E.Coli.
Dje, Gazeta-Ora publikoi emrin e subjektit privat që ka futur këtë sasi të madhe mishi në vendin tonë, mish i importuar nga Qipro.
Kompania EHW, një nga kompanitë më të mëdha në vend, që mbulon të gjithë Shqipërinë me mish dhe nënproduktet e tij, rezulton të jetë firma që po tenton të vrasë shqiptarët me mish të infektuar.
Gazeta-Ora, ka siguruar nga burimet e saj, raportin e plotë ku thuhet se 25 ton mish i infektuar me salmonelë dhe E.Coli, është bllokuar në Durrës dhe i përket pikërisht subjektit EHW.
Ky skandal, është munduar të sheshohet deri sa të harrohet dhe mishi i infektuar të hidhet në treg.
Prej 70 ditësh, kjo sasi e madhe e mishit është e bllokuar në portin e Durrësit dhe ende kompania EHW nuk e ka asgjësuar, por si duket pret momentin e duhur për ta nxjerrë nga bllokimi dhe ta hedhë në treg.
Sipas ligjit, AKU-ja bllokoi 25 ton mish të infektuar, pasi bëri analizat pranë ISUV. Edhe pse kanë kaluar më shumë se dy muaj, ky mish qëndron i bllokuar në kushte frigoriferike dhe nuk është asgjësuar.
Sipas kuadrit ligjor, AKU ka kërkuar që 25 ton mish të asgjësohen ose të rikthehen në vendin e origjinës.
Fotot që shikoni më poshtë, janë shkëputur nga raporti zyrtar i AKU-së ku duket qartë emri i subjektit EHW dhe përgjigjia e analizave të ISUV ku theksohet qartë se ka infeksion të salmonelës dhe të E.Coli-t.
Në lidhje me këtë skandal asnjë nga instancat shtetërore nuk ka reaguar dhe nuk ka gjobitur kompaninë private. As ministria e Bujqësisë, organi më i lartë që ka për detyrë që të mbrojë shëndetin e konsumatorëve dhe është përgjegjëse për sigurinë ushqimore nuk ka reaguar për këtë mega-skandal.
Shqetësuese mbetet fakti që mishi nuk është asgjësuar, por mbetet ende i bllokuar dhe në momentin që ai futet në treg, pasojat do të jetë shumë të mëdha.
Ata që do ti vuajnë pasojat, janë padyshim konsumatorët shqiptarë të cilët në padijeninë e tyre mund të blejnë nga ky mish dhe rrezikojnë deri jetën e tyre.