Aktualitet

Basha letër bankave: Mos rrezikoni me financimin e PPP-ve që pastrojnë para të drogës dhe korrupsionit! Do t’i anulojmë!

Lulzim Basha u ka dërguar bankave të nivelit të dytë dhe për dijeni Guvernatorit te Bankës së Shqipërisë një letër, ku u bën thirrje që mos të rrezikojnë me financimin e PPP-ve, pasi sipas tij janë para te pista.

Basha thekson se nga aktiviteti i paligjshëm i prodhimit të drogës dhe trafikimit të saj nga Shqipëria, gjatë këtyre viteve të fundit, janë prodhuar miliarda euro, një pjesë e të cilave “janë përdorur për të korruptuar qeveritarë dhe punonjës publikë me qëllim pastrimin e parave të përfituara nga kultivimi dhe trafikimi i lëndëve narkotike apo/dhe korrupsioni.”

Në letrën e tij, lideri i PD-së vë në dukje paralajmërimet e tij të herëpashershme se “sektori bankar është më i ekspozuari nga bashkëpunimi mes qeveritarëve të korruptuar me disa kompani që po përdorin sektorin e ndërtimit për të pastruar paratë e fituara nga aktivitetet e paligjshme.”

Duke theksuar se jo çdo biznes i angazhuar në sektorin e ndërtimit kryen aktivitet të paligjshëm, kreu i opozitës, Lulzim Basha, shprehet se disa kompani kanë marrë leje ndërtimi dhe kontrata publike në nivele të tilla që nuk justifikohen as nga eksperiencat e tyre dhe as nga mundësitë financiare që ato kanë. Mes të tjerash Basha përmend si të tilla dy kontratat e fundit PPP për projektet rrugore Milot-Balldren dhe Orikum – Dukat.

“Të dyja kontratat publike, haptazi, cënojnë interesin publik dhe dëmtojnë në mënyrë të rëndë interesat financiare të shtetit shqiptar, duke u siguruar përfitime të padrejta zyrtarëve të korruptuar dhe kompanive private. Nga vlerësimi i kapaciteteve financiare dhe teknike të kompanive private, të përfshira në këto dy projekte, rezulton se ato nuk kanë mundësi për t’i përfunduar projektet me mjetet e tyre dhe, për pasojë, parashikohet marrja e kredive bankare. Mirëpo, këto kompani nuk kanë mundësinë reale për të kthyer kredinë që do të kërkojnë nga ju, pas momentit të anullimit të financimit të paligjshëm shtetëror, që kanë përfituar si pasojë e veprimeve korruptive. Duke përfituar nga ky rast, ju kërkojmë zyrtarisht që të vlerësoni me seriozitet informacionin e përcjellë. Ne shprehim besimin e plotë që ju do të distancoheni dhe nuk do të bëheni palë në akte që provojnë mbështetjen ndaj projekteve korruptive dhe që cënojnë interesin publik. Ne presim që banka juaj të aplikojë procesin e “vigjilencës së zgjeruar” në çdo transaksion ku përfshihen subjekte që janë angazhuar në aktivitetet e sipërcituara, veçanërisht, duke patur parasysh indiciet që janë publike jo vetëm nga PD, por edhe nga raportet e institucioneve të specializuara ndërkombëtare. Ne mirëpresim çdo propozim që do të ndihmonte në krijimin e një ambienti më të mirë në sektorin bankar në funksion të kreditimit të ekonomisë reale dhe jo asaj të mbështur në paratë e krimit dhe të korrupsionit.”- shprehet kreu i opozitës Lulzim Basha në letrën drejtuar bankave të nivelit të dytë në vend dhe, për dijeni, Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë.

Total 1 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?