SPRINT NEWS ALBANIA

AktualitetShkrimeTe tjera

Nga Dritan Kaba/ Ata që sfiduan diktaturën me tinguj

Mbrëmë takova mikun tim të vjeter Kol Shehu, diku buzë detit në Qerret. Po luante si dikur para 34 vitesh sërish në kitarë. Muzikë që të mbush shpirtin plot. Të qetëson edhe kur je në kulmin e nervave. Të shplodh, kur je i rraskapitur në sfilitje ekstreme.

Por, për diçka shumë më të madhe që shkon deri në heroizëm është ajo, për të cilën dua të shkruaj sot.
Eshtë një homazh për ata djem të viteve ‘80 që sollën perëndim më shumë se të gjithë studentët e “Partisë”, që studionin jashtë. Shumë, shumë ata vetëm xhinse, syze dhe rrobe banjo për kontrabandë sillnin.

Disa prej tyre janë bërë milionerë, por edhe si në atë kohë nuk i sollën asgjë Shqipërisë. Thjesht shisnin e blinin. Dikur brekë dhe sytjena, sot ligje speciale dhe leje ndërtimi. Dikur çadra me sustë, sot ngrenë pallate edhe në zonat e gjelbëra të Tiranës, asgjë nuk i ndal. Ulen taksat me ligje speciale për ta dhe hiqet ndihma ekonomike për të pamundurit, po me ligje speciale.
Sot, ata, i kanë kthyer rilindasit në shërbëtorë realë dhe veten në oligarkët e vërtetë të këtij vendi.

Në fakt janë e njëjta klasë me të njëjtën prejardhje, bij e nipa bllokmenësh. Oligarkë dhe qeveritarë!

Por unë dua të shkruaj për Heronjtë. Ata që injektuan tek rinia e “Tironës” dhe jo vetëm, antikomunizmin më shumë se edhe “Zëri i Amerikës”. Ata luanin muzikën në ambiente publike, “Zëri i Amerikës”, dëgjohej me zë të ulur, me frikën që as komshiu të mos kishte asnjë mundësi të dëgjonte.

Ata me muzikën që luanin, në mbrëmjet e shkollave të mesme dhe universitetit, sollën më shumë kulturë perëndimore tek rinia, sa të gjitha antenat e televizorëve bashkë, kthyer kah Italisë.

Këta djem sollën me veglat e tyre muzikore, dritën, në atë errësirë komuniste që mbizotëronte në gjithë vendin. Ishin ata, Genc Dashi kitarist, Kol Shehu kitarist, Gon Hodo kitarist, Lul Xhangolli baterist, Aleksandër Gjoka këngëtar dhe kitarist, Nard Shoshi baterist, Nard Cami tastierë, Tur Kruja bass, Tan Gambeta kitarist, erudit i rrallë, Buç Gazheli kitarist etj.

Pasioni i tyre për muzikën i kalonte kufijtë e mendimit të rinisë së sotme. Më kujtohet se si arritën të ndërtonin kitarat elektrike vetë. Nga muzikantë u kthyen në mjeshtra e ustallarë të vërtetë. Sa me pasion zmerilonin me dorë copat e dërrasave të ngjitura me tutkall. Si i stukonin anët e kitarës. Pjesa më e mahnitshme dhe më e mundimshme ishte lyerja. Presioni i pompës së improvizuar të bojës, bëhej me frymën e mushkërive të tyre. Pasioni i muzikës ndërthurej me shpirtin, që kërkonte lirinë. Ai bëhej një aliazh, që nuk kishte spiun sigurimi dhe mbledhje fronti t’i thyente.

Keta mesazherë të lirisë, demokracisë dhe shpreses çanin zymtësinë dhe errësirën e Tiranës me tingujt e veglave të tyre.
Jam i malluar për ato kohë.

Në 11 prill të vitit 1985, e kam në kujtesën time si të ketë ndodhur dje, takova Kolin. Ora ishte rreth dhjetës. Orën e dytë e të tretë e kisha pushim se zysha e matematikës mungonte. Isha në vit të dytë gjimnaz. Përqafohemi. Kur koka kalon sa në një anë në tjetrën, Koli më tërhoqi më afër vetes e më pëshpëriti: Vdiq ai plehra!

Në sytë e tij kishte një shkëlqim kënaqësie. U ndamë, ai uli kokën dhe vazhdoi rrugën. Ishte shprehja më antidiktatoriale që më kishin zënë veshët. Isha vetëm 16 vjeç. U hutova. U ktheva dhe e ndoqa me vrap dhe e pyeta, kush ishte plehra?

Koli pasoi pyetjen time me pyetje. Kush është ai që nuk na le të luajmë dhe të dëgjojmë muzikën e vërtetë? Koli muzikën e vërtetë quante hard rrokun, metalin, rrokun klasik. Kush është ai që të internon për antenat e “italianit” ? Kush është ai që i ngre njerëzit që në tre të mëngjesit për dy shishe qumësht. Dhe pas “fitores” së qumështit pas katër orëve në radhe, shkojnë tetë orë në pune ku ju del qumështi i nënës nga goja? Ja ky është plehra!

Dallgë të mëdha krijuan në mendjen time, fjalët e Kolit. Ishin si proklamate antikomuniste.

Këta çuna ishin ata, që me muziken e tyre sfiduan diktaturen më të egër në botë. Këta çuna ishin ata, që sollën të parët perëndimin. Këta çuna ishin ata, që shpërndanë kulturë më shumë se të gjithë librat e filmat e kombinateve prodhuese të propagandës komuniste.

Ata që e quajnë veten intelektualë të asaj kohe, mundohen dhe mezi gjejnë mes rreshtave të romaneve prej qindra faqesh ndonjë shprehje që thotë: Ja ku është fryma antiregjim.

Madje, sot edhe të gjithe ata që dje shijuan muzikën e tyre në atë errësire diktature u janë shumë borxhlinj.
Sot, disa prej tyre vazhdojne të krijojne muzikë, disa nuk janë më mes nesh, disa janë bërë qytetarë realë perëndimorë dhe amerikanë.

Ndërsa shitësit e syzeve, ngelen po të tillë. Ata sot shesin syze ndryshe nga ato të para shumë viteve. Tani ata financojnë mediat që bëjnë shqiptarët dhe rininë të shohin një jetë tjetër, atë virtualen, që ekziston vetëm duke parë nëpermjet “syzeve” të tyre, televizioneve.

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?