Analize

Nga Fatmir Ali Guda/ “PESHQESH” PELESHI NË QEVERI , SI KARKALECI NË BUJQËSI !

Është fakt i ndodhur zyrtarisht, që Niko Peleshit në kabinetin Rama 2 i rra llotaria të bëhet ministër bujqësie, pas bingos së rënë në 4 vitet 2013-2017, ku u caktua të ish numri dy i qeverisë, por që në realitet nuk u bë kurrë i tillë edhe për shkak të aftësive të munguara edhe për faktin e njohur të autoritarizmit të shefit të vet, që me oreksin e të pangopurit nuk lëshoi asnjë drejtori rajonale ta kish jashtë tutelës së kontrrollit e jo më ministrat apo zvkryeministrin aq më shumë.
Sigurisht, që për të marrë këto ofiqe ish-kryebashkiaku i Korçës i pat rënë në sy ish-kolegut Edi Rama para vitit 2013 jo më shumë për aftësitë menaxhuese, sesa për cilësinë e të nënshtruarit “lepe-peqe” të një servili tipik deri në lëpirje.

Porse eksperimenti final, që mund edhe ta ketë bindur përfundimisht Ramën për ta qasur në tarafin e vet ishte besimi që ai i dha Niko Peleshit në kryerjen e të parit test elektoral të mekanizmit të blerjes së votës në një proçes zgjedhor, ku si laborator i dha mundësinë të përdorte zgjedhjet e pjesshme për kryetarin e bashkisë Korçë në vjeshtën e 2013. Këtë eksperiment paraardhësi i Sotiraq Filos e realizoi “mjeshtërisht” me sukses të plotë, sikundër në çdo palë zgjedhje të tjera të mëvonshme në mbarë qarkun e Korçës, rezultati i të cilave ka qënë i paracaktuar që në vigjilje të fushatave në vartësi të shumës së parave të taksura për çdo qytetar me të drejtë vote.
Ndërkaq si çdo e ashtuquajtur reformë e nisur me bujë e tam-tame të mëdha nga Rama 1 edhe aktiviteti 4 vjeçar pe zv/kryeministri i Peleshit u mjegullua nga gjëma kriminale e kanabisit të mbjellë në çdo metër katror të vëndit dhe kulmoi me një kullë infantile betoni, simbol i arrogancës mes Korçës, atij Parisi të vogël. Ashtu sikurse deri tashmë në kabinetin Rama 2, të qënët e tij në krye të bujqësisë vlen të kujtohet vetëm për atë show rural dhënë në sallën e seancave plenare të Kuvendit të Shqipërisë nga mirditorja e La Sapienz-it, që sot vërtetë i është harruar emri, por i mbahen mënd lotët e sekrecionet e derdhura në foltore, mes të cilave në emër të gjithë fermerëve dhe blegtorëve shqiptarë “guxoi” të mos kërkonte asgjë tjetër përveçse rrugë dhe ujë.
“Jepini ujë dhe rrugë fshatit dhe i keni dhënë zhvillim, – do të thosh ajo, duke vijuar, – nuk po kërkojmë asgjë tjetër: ujë dhe rrugë”.
Dhe koha që nga ajo ditë ka fluturuar e ndërsa toka ka bërë 365 rrotullime rreth vehtes dhe i është sjellë 1 herë rreth e përqark diellit, e diplomuara e La Sapienz vazhdon të gjendet pa bëzajtur me lotët tharë ndër faqe, po pa ujë e pa rrugë. Kurse ministri Peleshi i bujqësisë mes gjullurdisë së skandaleve qeveritare, duke e lënë kaherë në sirtaret e haresës show-n e mirditores së keqpërdorur, pa asnjë km rrugë e pa asnjë çezëm uji të shtuar, një herë në hënzë me ndihmën e “kazanit” çdo rradhë e më i shpërfytyruar ka nisur e tregon përralla me xha-Agron, ku propagandohet për subvencione pafund, të cilave asnjë fermer apo blegtor nuk ua ka parë qindarkën, me përjashtim të 4-5 klientëve të mëdhenj afër tij dhe kryeministrit.
Kapsllëku i ideve ka mbërthyer gjithandej me Pelesh e qeveri dhe në tentativë të sforcuar për t’i dhënë pak oksigjen aktivitetit të vet si ministër nuk i ka mbetur perveçse të lozë edhe rolin e kryeinspektorit të ushqimit në zbulim të ndonjë konserve apo cope sallami të skaduar duke tundur me vetullngrysur gishtin ndërshkues ndaj cilitdo peshk të vogël që guxon të notojë në oqenin e madh tashmë pronë e qeverisë. Qëllimit të ministrit për monopolizim të bujqësisë dhe blegtorisë nuk i shpëtojnë as bizneset me aktivitet blegtoral me bazë prodhim qumështi e mishi, të cilat goditen me fushata dhe aksione ndërshkuese televizive për paligjshmëri, më shumë për të manipuluar opinionin publik, sesa për të garantuar cilësinë dhe sigurinë ushqimore për konsumatorin.
Qytetarët shqiptarë ndjehen vetë çdo ditë më shumë të rënë brënda një gropë të madhe ekonomike, ndërsa fatet e jetëve të tyre ua kanë besuar duarve të një qeverie “ustallarësh”, ku burrë më i mirë tregohet të jetë Niko Peleshi, që do të mbahet mënd si ministri i bujqësisë, në periudhën e të cilit zonave rurale u ndodhi braktisja më e madhe prej moshës së re, që është dhe më aktivja për punë, ndërsa referuar statistikave bujqësia dhe blegtoria njohën frenim dhe regres krahasuar me çdo qeveri të mëparshme.
Dmth të mos ndihej fare në punë siç nuk po ndihet në të vërtetë, paraardhësi i Filos apo mëkëmbësi i Ramës, siç mund të etiketohej ndryshe ministri i bujqësisë, do të ishte shumë herë më i dobishëm. Por ja që dëmi i tij në tepsinë e pushtetit të kryeministrit timonier është më i keq se aflatoksina në qumshtin që pijmë dhe sesa gruri i bagëtive tek buka që hamë.
Edi Rama përtej vehtes dhe një shpurre të përfolur bashkpuntorësh, Pelesh “peshqeshi” që u bëri shqiptarëve në mandatin e tij të dytë ka qëlluar njëlloj si karkaleci në bujqësi, po u gëryen konsumatorëve jo vetëm stomakun, por edhe xhepat.

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?