AnalizeShkrime

Nga Nikoleta Kovaci/ Ermalët e Vlorës

KAON

Që kur doli lëmshi infantil për vëllanë e Fatmir Xhafës, Agronin, dhe një shokut të tij që tashmë qenkan prishur në pazaret e drogës, në linjë ka dalë edhe Ermali! Ermali, në atë përgjim është një person që duket se ka një punë të rëndësishme për të bërë. Është njeriu që do të nxirrte nga nga balta Agron Xhafën e përgjimit që të ndihmonte dëshmitarin të merrte ndonjë lekë se ishte bërë keq gjendja! Ermali rri si hije në atë bisedë të përgjuar, bisedë kjo që e ka bërë politikën të bëjë zhurmë ekranesh dhe ditësh të caktuara, ku lajmërohen edhe protesta.

Në fakt, një qeveri e gjitha e zhytur në drogë, krim dhe korrupsion, vetëm një politikë e tillë opozitare e mban në këmbë, po histori tjetër kjo!
Halli i madh i këtyre ditëve të fundit është Ermali, djali me emër pak të ngatërruar me alpinë! Prokuroria, e devotshme për t`i shkuar në fund çështjes së sulmit të organizuar ndaj vëllait të ‘shenjtit’ që gjendet në qeveri, i ka kërkuar policisë ta gjejë ketë Ermalin. Policia përveç se duhet ta gjejë, duhet ndër të tjera edhe ta trajnojë që mos të lërë namë, në momentin kur do merret në pyetje. Kot, rastësisht, aty nëpër këmbë, mund të jetë ndonjë OPGJ që edhe mund të flasë përjashta dyerve të prokurorisë. Nga naiviteti mund të nxjerrë gjithçka dëgjon brenda.

Policia si duket i është betuar prokurorisë që do ta gjejë një Ermal e do ta dorëzojë, e madje, do ta shënojë edhe si shifër suksesi.
Ermalët në Vlorë kohëve të fundit janë shtuar shumë! Është një emër që në fakt daton kohë të këqija për shqiptarët; atëherë kur familjet shqiptare nuk mund t`i vinin djalit emrin e gjyshit, se mund të ishte fetar, mund të identifikohej si keqbërës i sistemit. E për pasojë u shpikën emrat si Agron, Saimir, Artan, Genci, Ermal, etj, e shumica e shqiptarëve nxitonin ta pagëzonin djalin me një nga këto emra, pa e ditur se një ditë shumësia e të njëjtit emër do ta ngatërronte djalin me një imazh të padenjë; ndonëse familja, fara apo fisi, mund të ishin kujdesur gjatë gjithë jetës së tij ta edukonin me vlera e madje edhe të kujdeseshin që ai gjithmonë të kishte vende të mira pune, në rang drejtuesi, pa patur nevojë të bëhej me pluhur si shokët e tij!
Kështu ndodh edhe me Ermalët e Vlorës. Mbase ka ardhje edhe nga katundet për rreth, ndoshta edhe nga Tepelena, Fieri apo Lazarati. Vlora është kthyer prej më shumë se 4 vitesh në një kantier prodhimi e ndërtimi, e të zotët e punës kërkojnë ekspertë për të realizuar më mirë projektin e tyre për Vlorën.
Dhe në skenë dalin Ermalët! Janë ata që do të mbajnë peshën e gjithë asaj punë lodhëse për të zbuluar se dëshmitari për të gjetur drogën tek Agron Xhafa duhej të kalonte te ky Ermali.

Edhe pse zëri i Agron Xhafës ende nuk është fiksuar se është zëri i tij, Ermali është njeriu real; ai tek i cili duhej të merrej droga për këtë dëshmitarin-shpëtimtar! Pra Ermali duhej të ishte shpëtimtari i dëshmitarit të maskaradës që luhet në këtë vend. Ai do ta pajiste me drogë këtë dëshmitarin! Dhe Ermalin gabimisht e bënë polic! I doli edhe pamja këtij policit Ermal; një djalë i paqtë! S`të linte përshtypje dyshuese, por eprorët e tij e kishin lënë në një vend të keq; pikërisht në vendin ku të bënte me fjalë! Po ky Ermali, duke e ditur se Ermalët e tjerë kishin zaptuar Vlorën, kishte ikur nga vendi i fjalëve!
Në kërkim të Ermalit, atij të hipotezës, se në fakt këtu asgjë nuk është ‘reale’, haset në një person me histori suksesi; ai quhet grosist në gjuhët e reja të viteve të fundit! Sigurisht s`mund të ishte ndryshe! Tek ai s`mund të shkohet për 10 kg kanabis, po të paktën për 100 kg!

Minimumi i ngarkesës që mund të sigurojë Ermali i videos, edhe në shtator, edhe në tetor, edhe sot, e po ashtu edhe nesër! Minimumi për dëshmitarin X që mos t`ua zë derën më, pasi tashmë duhet të mblidhen lekët për gjëra më të mëdha! Ky grosisti afër mendsh s`mund të ishte polic, e aq më pak polici me fytyrë të paqtë! Ky grosisti, nga Ermali që posedon tashmë sarajet e drogës nëpër Vlorën e lungomares, vetëm mund të ngatërrohej lehtësisht me një Ermal policie! E policia e di! E njeh! Po ashtu edhe prokuroria! Po ashtu edhe politikanët që hyjnë e dalin nëpër Vlorën tonë të Flamurit (që mjerisht këto kohë e kanë zëvendësuar me drogë)!

Ermali nuk gjendet! Ai është hije! Ermali i videos është shpikje; ai nuk ekziston! Kështu thotë policia, edhe prokuroria! Gjykata do të vendos ndonjë arrest shtëpie thjesht për të thënë se ne i dënojmë Ermalët ashtu si Saimirët, ndërsa më fatkeqit në këtë lojë janë Agronët, ata që detyrohen të lëvizen me charter për në burg! Por Ermalët do të vijojnë të jenë në punë; sepse ata janë punëtorë dhe mjaft të domosdoshëm; fundja ata vërtet nuk kanë vëlla ministër, ama ata kanë miq gjithë ministrat, këta që janë, ata që ishin dhe ata që pritet të jenë!
Rrofshin Ermalët sa malet!

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?