AktualitetShkrime

Nga Edison Ypi/ Demokrati qesharak.

KAON

Demokrati qesharak është një interesaxhi që mbahet për idealist, një injorant që mbahet për i ditur, një banal që mbahet për serioz.
Kur Demokrati qesharak është biznesmen, s’lë gur pa lëvizur që të mos i paguaj detyrimet.
Kur Demokrati qesharak është dyqanxhi, nuk i vendos kurrë çmimet, s’të jep kurrë faturë as garanci, të thotë, hë mo se këtu jemi, kur të prishet sille se e ndreqim.
Kur demokrati qesharak nuk është as biznesmen as dyqanxhi, por thjesht blerës, ulëret e bërtet kur të dyve dhe të gjithëve.
Për Demokratin qesharak që vetëm merr dhe kurrë nuk jep, demokracia është det kosi, mal mish, lumë rakie.
Demokrati qesharak që jeton në Shqipëri nuk bënë kurrë asgjë që të mos ketë lidhje me një interes material të vetin.
Me harta të Shqipërisë së madhe dhe flamuj me zhgaba që nxjerrin zjarr nga goja, demokrati qesharak që jeton jashtë, mbahet për patriot i madh, trim i çartun, vigan i mendimit.
Demokrati qesharak i sotëm, ky që po bën sikur diktaturës dhe kurvit u ka punuar qindin, ishte ai që mbushte parakalimet e djeshme, ai që fliste me zjarr nëpër mbledhje kolektivi për partinë, proletariatin, kapitalizmin, revizionizmin, lexonte zërin e popullit dhe librat e kurvit.
Çdo martir Lirie dhe Demokracie që ka shkruar ca rrjeshta, demokrati qesharak e shpall artist të pashoq, shkrimtar të madh, poet të shquar, gjeni.
Demokrati qesharak, saktrifikuesit e diktaturës demokratët të vërtetë, i vizaton me ngjyra soc-realiste me ta shpif, përpikmërisht si bëjnë komunistat me partizanët e tyre të luftës vllavrasëse.
Demokrati qesharak, në dallim nga komunisti, i cili vepron gjithmonë grush bashkuar me të ngjajshmit e vet, nuk i del kurrë në krah asnjë demokrati, as qesharak as serioz.
Demokrati qesharak përgojon pafund liderin që e ka zgjedhur vet.
Demokrati qesharak trillon, fantazon, shpif, intrigon, cilëson hajdut dhe spiun, pa asnjë fakt apo argument, cilindo që nuk i përshtatet interesit të tij, gjë që, komunisti për komunistin nuk e bën.
Demokrati qesharak është një hajvan që kujton se Demokracia dhe Liria janë gjëra që përparojnë vetiu, pa lujt vendit, pa e prishur terezinë, pa u shkulur nga kafeneja.
Demokrati qesharak pushtetin e shtrydh dhe e shpërdoron sa e kalb, derisa vjen komunisti ja merr për duarsh pa asnjë mundim. Pas kësaj demokrati qesharak pendohet, por sa pare bën, është vonë.
Komunistit pushteti i ikën sepse komunisti pushtetin e forcon aq tepër sa i thyhet ndër duar.
Demokrati qesharak pushtetin nuk e mban dot sepse pushtetin e kompromenton.

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?